
Si je? Çfarë hëngre për drekë? E pe atë filmin mbrëmë?
Këto janë pyetje që dëgjojmë çdo ditë. Shpesh i kalojmë pa menduar, si gjëra të vogla, të kota. Por në të vërtetë, janë më shumë se kaq. Janë ura. Janë fije që na lidhin me njëri-tjetrin, që na mbajnë të gjallë, të vëmendshëm, të përfshirë në botën që na rrethon.
Sociologu Erving Goffman i quante “rite kontakti” bisedat e zakonshme që krijojnë ndjenjën e përkatësisë dhe ruajnë kohezionin social. Edhe një koment për motin është mënyra për të thënë: “Unë jam këtu. Të shoh. Jemi bashkë.”
Një studim nga University of Chicago ka treguar se bisedat e rastësishme me të panjohur përmirësojnë ndjeshëm humorin dhe mirëqenien. Dhe pse ne shpesh i nënvlerësojmë këto ndërveprime, ato kanë fuqinë të na ndryshojnë ditën.
Sociologu Mark Granovetter, që në vitin 1973, theksoi rëndësinë e “lidhjeve të dobëta” – marrëdhëniet e lehta, të përditshme, me fqinjë, shitës, kolegë apo njerëz që i takojmë rastësisht. Këto janë pikërisht ato lidhje që na mbajnë të lidhur me realitetin social, që na informojnë, na stimulojnë dhe na japin kuptim.
Antropologu Malinowski e quante këtë “phatic communion” – një formë komunikimi që nuk ka për qëllim të informojë, por të mbajë gjallë kontaktin. Nuk ka rëndësi çfarë thuhet, por që po flitet. Sepse në të folur, ne ndërtojmë marrëdhënie. Në të dëgjuar, ne ndërtojmë besim.
Në një kohë kur të gjithë duan të shkojnë “drejt e në thelb”, ndoshta është koha të vlerësojmë fjalët që rrotullohen rreth e qark, ato të cilat nuk të çojnë në një përfundim, por të mbajnë në një lidhje. Sepse ndoshta është pikërisht ky rreth që na mban në ekuilibër. Dhe është ai që na mban njerëzorë.
Por a flasim ende kështu në Shqipëri?
A kemi ende kohë për fjalët e vogla, për “si je”, për “si e kalove ditën”? Apo edhe ne po i humbasim këto ura të padukshme që na lidhin me njëri-tjetrin?
Në një shoqëri ku gjithçka duket urgjente, e vrullshme, ku njerëzit nxitohen për të mbijetuar, për të ikur, për të bërë “më shumë”, fjalët e vogla janë bërë një luks. Dhe ndoshta pikërisht këtu, ku gjithmonë kemi qenë të pasur në marrëdhënie, në lagje, në komshi, po varfërohemi më shumë.
Nuk është se nuk duam të flasim, por ndoshta kemi harruar si. Apo ndoshta nuk kemi më se kujt.
E megjithatë, ndoshta është koha t’u kthehemi këtyre gjërave të vogla. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për rrugë dhe ndërtesa, por për lidhje. Për të parë tjetrin në sy. Për të thënë: “Jam këtu. Të shoh. Jemi bashkë.”/dritare.net

















