

Një stilist i kishte lyer flokët bionde dhe një patolog spanjoll i kishte balsamosur trupin për një vit, duke ia mbështjellë lëkurën me një mbrojtëse të tillë të butë, sa dukej sikur ajo ishte gjallë.
Më 26 korrik të vitit 1952, gruaja e ish-presidentit Juan Peron kishte ndërruar jetë për shkak të kancerit në qafën e mitrës. Ishte 33 vjeç dhe në kulmin e fuqisë.
Për punëtorët dhe të varfërit, Evita mishëronte ëndrrën argjentinase: Vajza e paligjshme e një familje provinciale kishte arritur të ngjitej duke u bërë Zonja e Parë, që luftonte për të varfërit dhe të margjinalizuarit.
“Evita nuk ishte e shkolluar, por ishte e zgjuar,” thotë historiania Ursula Prutsch. “Ajo e kuptoi shpejt se si funksiononin intrigat dhe se si mund të përfitohej prej tyre”.
Me fondacionin e saj të bamirësisë ajo shpërndante dhurata për të varfërit, shfaqej si një shenjtore që bekonte të sëmurët dhe ata në nevojë duke i puthur. Ky fondacion i siguronte asaj edhe financimet për jetën superluksoze.
Në fjalimet e zjarrta bënte thirrje për rishpërndarje të pasurisë dhe promovoi karrierën e grave dhe të punëtorëve. Në vitin 1951, gratë mund të votonin për herë të parë në Argjentinë, Evita vetë ishte kandidate për zëvendëspresidente- një revolucion.
Por shenjtorja e të varfërve ishte kthyer në një figurë të urryer për establishmentin konservator. “Rroftë kanceri,” thanë kundërshtarët e Peronizmit pak orë pas vdekjes së saj. Miti e kishte bërë të pavdekshme.
3 milionë njerëz morën pjesë në varrimin e saj, ajo u vendos për dy javë në një arkivol të qelqtë, mbi 26 mijë peticione iu dërguan Papës që ajo të shpallej shenjtore, madje u mendua që t’i ngrihej një shtatore sa ajo e Statujës së Lirisë.
Në vitin 1955, ushtria rrëzoi Juan Peron, që u arratis në Spanjë për azil. Katër javë më pas, komandot ushtarake sekuestruan mumjen e Evitës, për të zhdukur kështu çdo gjurmë të Peronizmit. Nisi kështu një aventurë që zgjati dy dekada. Për të provuar se mumja ishte e vërtetë, iu pre një gisht për të bërë analiza.
Mosbesimi ishte i bazuar pasi patologu kishte bërë edhe tre kopje të trupit të saj prej dylli. Mumja u vendos fillimisht në një kinema, më pas në një bunker ushtarak, në disa shtëpi private, etj. Ka shumë histori për këtë aventurë.
Disa thonë se një gjeneral e mbajti mumjen në shtëpinë e tij, por u çmend nga zhurmat e natës dhe vrau të shoqen shtatzënë. Ushtarët qëlluan njëri-tjetrin gjatë transportit, etj. Në vitin 1956, Hector Eduardo Cabanillas urdhëroi që mumja të dërgohej jashtë vendit. Operacioni ishte sekret, aq sa edhe presidenti Aramburu nuk e dinte se ku ishte trupi.
Eva Peron u varros në Milano të Italisë. Por në vitet ’70, militantët e majtë rrëmbyen presidentin Aramburu dhe e ekzekutuan me një plumb në kokë. Më përpara kishin tentuar që të negocionin për trupin e Evitës. Dorëzimi i trupit të Evitës u kthye në çështje politike.
Në vitin 1971, Cabanillas, që kishte organizuar zhdukjen e trupit, u kujdes që mumja të rikthehej pranë Juan Peron në Madrid. Ai u habit nga gjendja e mumjes. “Ishte praktikisht si një kukull e paprekur”.
Në tetor të vitit 1973, Peron u zgjodh president për herë të tretë.E shoqja, Isabel u bë zëvendëspresidente. Pas vdekjes së Peron, Isabel e solli mumjen nga Spanja në Argjentinë. Evita u varros pranë të shoqit. Por sërish nuk pati qetësi për të.
Pas një puçi shteti në vitin 1976, trupi i saj u dërgua në varrezat Recoleta. Aty shkojnë qindra argjentinas dhe të huaj për pelegrinazh. Evita sot është një markë, pasi me emrin e saj qarkullojnë suvenire, libra, lokale, etj./ Marrë me shkurtime nga Spiegel- mapo

















