Ish-zv.ministri Yzeiri: Çfarë bëri policia në ‘97 dhe si po vepron sot
Dritare.net

Ish-zëvendësministri i Brendshëm Bajram Yzeiri e krahason situatën e sotme në Tiranë me trazirat e vitit 1997. Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ai rrëfeu çfarë ndodhi atëherë dhe si po vepron policia sot.
“Situata natyrisht që është e vështirë. Ngjason me ‘97-ën, ku turma njerëzish të pakënaqur nga rënia e firmave piramidale nuk pyesnin, digjnin, vidhnin, shkatërronin bile dhe institucionet shtetërore. Janë djegur prokurori, gjykata, bashki, komisariate policie, magazina, institucione të tjera, sipërmarrja private. Shumë dëmtime dhe shkatërrim.
Për të arritur në ditët e sotme është dashur shumë sakrificë. Me qindra punonjës policie, mbi 400 e ca, kanë dhënë jetën nga ‘91-shi e deri tani, për 35-36 vjet. E kanë dhënë në emër të ligjit. Punonjësit e policisë nuk mësojnë pushtetin, mësojnë shtetin dhe të drejtën.
Situata e sotme nuk është thjesht një cënim rendi. Nuk është as veprimi i një grupi të pakët, disa individëve, disa të rinjve apo studentëve, siç është quajtur. Nuk është as tubim, as demonstrim, as protestë. Është një revoltë në gjykimin tim, sepse shoqërohet me akte të dhunshme kundër jetës së punonjësve të policisë.”
Policia deri tani ka përdorur fuqinë minimale. Pikërisht se mendojnë kaq thellë, janë të matur, janë të duruar, janë gjakftohtë, kanë pranuar të plagosen, të dëmtohen e të digjen vetë dhe janë treguar të rezervuar në përdorimin e fuqisë.”
Ka pasur raste që punonjës të policisë kanë ndërhyrë jashtë procedurave, kanë shkelur kompetencat. S’ke të drejtë ti ta heqësh zvarrë një qytetar. Nëse ai ka shkelur ligjin, shtrije në tokë, vëre në mur, arrestoje. Qytetarët duan të shohin të arrestuar shkelësin e ligjit. Po jo ta torturosh, jo ta heqësh zvarrë.
Ti shikon që ata po e thyejnë ministrinë, po e djegin, po nxjerrin jashtë sendet dhe pajisjet e ministrisë dhe ti bën sehir. Kur do të ndërhysh? Mos ia merr jetën, mos e godit në kokë, por ndalo, sepse ata po djegin institucionet e shtetit. Ku ishte Garda? Garda ka struktura të veçanta vetëm me shkop.”
Ai tha se edhe shërbimi privat i sigurisë që ruan ministritë “flinte gjumë”, ndërsa pyeti ku ishte policia bashkiake kur u sulmua bashkia. Ish-zëvendësministri theksoi se policia nuk duhet parë si mbrojtëse e qeverisë:
“Policia nuk është në shërbim të pushtetit. Pushteti lëviz. Ajo është në shërbim të ligjit dhe të qytetarëve. Institucionet e shtetit nuk duhen identifikuar me Edi Ramën. Ai që qeveris nesër do të ikë. Institucionet do të ngelin.”
Pyetur për krahasimin me 21 janarin, ai tha: “Nuk krahasohet 21 janari. Ai është jashtë çdo norme, çdo rregulli. Del tjetri të bërtasë, të shprehë dufin dhe ti e gjuan me armë. Këtu s’jemi në një rast të tillë.”
Në fund, Yzeiri u bëri thirrje të rinjve: “Ta lënë këtë filozofi djegieje dhe shkatërrimi. Policët janë vëllezërit e tyre, janë prindërit e tyre. Policia nuk i trazon nëse ata nuk kryejnë akte të tilla. Policia është për t’i mbrojtur edhe ata. Nëse policia arrin t’i përballojë këto situata pa viktima, ajo e ka kryer detyrën”, tha ai.
Ndërsa politikanëve u drejtoi kritikën më të ashpër:
“E kanë lënë policinë vetëm. Jo vetëm e kanë lënë vetëm, por e etiketojnë përditë, nga mëngjesi në darkë, si shkaktare të këtyre ngjarjeve. Kjo është jo vetëm e poshtër dhe e pamoralshme, por është kriminale.”/L.F-dritare.net