
Si i strehoi Bargullasi i Skraparit, infermierët amerikanë!
Dritare.net
Shtëpitë ku qëndruan 30 infermierë e mjekët amerikanë ishin më të mirat e fshatit, kudo që ato shkonin. Ato zgjidheshin të ishin shtëpi të mëdha dhe të kishin mundësi që ata të qëndronin të gjithë në një shtëpi. Të nesërmen e ditës që amerikanët largoheshim, gjermanët shkonin dhe i vinin zjarrin shtëpisë ku ata ishin.
Kamera e DritareTV këtë herë ishte në fshatin Bargullas, rrethi i Skraparit. Rruga është e njëjtë, gropa, gropa dhe shumë e vështirë, ende banorët ecin në këmbë siç bënë 80 vite më parë amerikanët. Në dokumentin "Në besë të shqiptarëve", Mehemet Kondi rrëfen se si familja e tij fshehu për gati një javë, amerikanët që ia sollën në shtëpi.
“Më rrëfente nëna, se sa të bukura ishin infermieret amerikane që u strehuan në shtëpinë tonë, në këtë fshat, Bargullas. Kam qenë fëmijë i vogël, 3 vjeç, kur i sollën në shtëpinë tonë, e mbaj mend mirë, se si më përkëdhelnin kokën. Nëna më rrëfente vite më vonë: “Erdhën doktoresha në shtëpinë tonë”.
Tëra çupa të reja ato. Edhe nënja ishte e re në atë kohë, se aq 20 vjeçe ka qenë.
Kanë qenë të shoqëruara me përkthyes, kanë qëndruar tek ne qëndruan 4 a 5 ditë. Tek shtëpia i solli, xhaxhai im, Kajmak Kondi, sepse ishte komandant i Çetës së fshatit.
Kemi qenë familje e madhe, 28 veta, katër kurorë në një shtëpi. Amerikanët ndenjën vetëm në shtëpinë tonë, por ushqim i siguroi gjithë fshati. Ato nuk e hanin bukën e misrit, dhe fshatarët gatuanin, ndonjë kulaç, Bargullasi ishte fshat i mbajtur, se kishte vite me kurbet ose në Turqi ose Selanik. Ishin të rritura ndryshe ato.
Ku t’i çonin më mirë? Ishte shtëpi me nikoqirllëk dhe taban, zgjidheshin banesat ku çoheshin amerikanët. Edhe ballistët kur vinin, kërkonin dyshek me pambuk, ndryshe të vrisnin. Amerikanët këtu u veshën me rrobat e vajzave të fshatit për t’u maskuar, vështirësi kishin kur bënin dush, sepse laheshin në banjë jashtë, me kanoçe. Nuk dolën asnjëherë jashtë portës së shtëpisë, ndryshe i rrezikohej jeta.
Amerikanët në shtëpi më shumë komunikuan me gjyshin se dinte gjuhë nga kurbeti, fabrika ku punonte në Selanik, ishte angleze. Në Bargullas erdhën nga Berati, më pas ikën në fshatra si; Dobrushë, Vërzhezhë e me rrallë. Komunikimet i kishin me partizanët e fshatit, ata i shoqëronin te kryetarët e Çetës, e kështu shkonin nga një fshat në tjetrin. Në Dobrushë shkuan sepse aty ishte spitali partizan. Nënën kur e pyesja mezi më tregonte, nuk fliste kishte frikë. Por asokohe asnjë nga fshati nuk foli, sepse nuk spiunuan bashkëfshatarët, ndaj shpëtuan gjallë ato.
Por shqiptari po të dha besë, vret veten dhe ty nuk të dorëzon. Po na erdhi miku në shtëpi nuk e dorëzonim, le të vinin ballistët në fshat, do të bëhej luftë, Bargullasi do luftonte me jetë. Ndaj kishte komandant çete në fshat, ai do të grumbullonte partizanët, që këta të fundit të mbronin infermierët amerikanë. Baza vërtet ishte shtëpia jonë, por amerikanet i mbrojti i gjithë fshati.
Ja kjo ka qenë shtëpia ku kanë ardhur dhe janë strehuar infermieret amerikane. Ka qenë dykatëshe e ndërtuar që në vitin ’33. Kishin shkallë nga jashtë, që të çonte tek oda e miqve, aty fjetën dhe amerikanet. Shqiptari e ka zakon që të pret mirë, të jep të gjitha çfarë ka në shtëpi. Si u larguan infermieret, gjermanët erdhën dhe dogjën shtëpinë tonë dhe shkrumbuan gjithë fshatin. Fshatarët u fshehën nëpër kasollet e bagëtive, vetëm ashtu ia dolën të shpëtojnë gjallë, por humbën gjithçka kishin.
Dokumentarin “Në Besë të Shqiptarëve“ mund ta gjeni në Youtube Dritare TV./M.K-dritare.net

















