Gonxhja zbulon çfarë ndodhi në takimin me të rinjtë: Ja kërkesat që i përcolla Ramës!
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV ka folur për takimin e zhvilluar me të rinjtë, mes të cilëve kishte edhe pjesëmarrës aktivë në protestat e fundit. Gonxhja pranoi se një pjesë e kritikave të të rinjve ndaj institucioneve janë të drejta, ndërsa theksoi se dialogu mbetet e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve.
Ministri sqaroi se takimi ishte pjesë e veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Rinisë dhe jo një nismë e organizuar posaçërisht për të përfshirë përfaqësuesit e protestës. Sipas tij, në takim morën pjesë mbi 50 të rinj, nga Këshilli Kombëtar i Rinisë, organizata të shoqërisë civile dhe grupime të tjera.
“Ishte një takim rutinë, në kuptimin e fushës së përgjegjësive që unë mbuloj. Pjesëmarrja ishte e lartë, ishin mbi 50 të rinj e të reja, të cilët vinin jo vetëm nga Këshilli Rinor, që ka 18 përfaqësues. Kishte edhe të tjerë nga OJF dhe grupime joformale, të cilët folën siç e ndjenin. Dy orë e gjysmë i kemi dëgjuar me shumë përulësi dhe kujdes, në mënyrë që t'ia përcjellim saktë kryeministrit dhe kolegëve të mi në qeveri, por edhe të kuptojmë çfarë mund të bëjmë më mirë”, u shpreh Gonxhja.
Ai tregoi se gjatë bashkëbisedimit të rinjtë ngritën shqetësime për premtimet e pambajtura që prej vitit 2018, përfshirë angazhimet e Paktit për Universitetin, si dhe për mungesën e komunikimit me institucionet.
“Kishte shumë gjëra që ishin artikuluar shumë saktë, që nga 2018-a e këtej, mangësi në zbatimin e disa prej premtimeve që lidheshin me Paktin për Universitetin, disa prej angazhimeve të nisura, të paçuara në fund, disa prej angazhimeve të kthyera në ligje, por të pazbatuara sa duhet. Mure diku, institucione të shurdhëta, diku institucione të mbyllura. I dëgjuam të gjithë ata që mendonin se këto janë arsyet që i bëjnë të humbin besimin tek institucionet”, tha ministri.
Gonxhja theksoi se takimi nuk ishte një përpjekje për të bindur të rinjtë të hiqnin dorë nga protesta, pasi mes palëve kishte edhe mosmarrëveshje të thella.
“Ne aty u pamë në sy dhe e respektuam njëri-tjetrin për sa i përket gjuhës, komunikimit, etikës, por kishim shumë distancë dhe shumë tema për të cilat nuk binim dakord”, deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse përvoja e tij si pjesëmarrës në lëvizjen studentore të vitit 1989 ndryshon nga pozicioni i sotëm si ministër, Gonxhja tha se i kupton kërkesat e të rinjve, por u kërkoi atyre të marrin parasysh edhe mundësitë reale të shtetit.
“Ata kanë shumë të drejtë. Ata kanë legjitimitet në shumë prej atyre që thonë. Kjo nuk diskutohet fare. Ajo që duhet të kuptojmë është që nuk ka alternativa përveç të folurit dhe të ulurit. Në qoftë se duam të arrijmë një Shqipëri më të mirë, nuk ka se si të kemi alternativë tjetër përveç dialogut. Kur unë them dialog, është dialog pa kushte në çdo kuptim. Nuk mund të jetë një dialog që ti të ulesh dhe pala tjetër të vijë me kushtin që ti të mos jesh. Mund të diskutohet çdo gjë, por duhet të ketë një arsyetim dhe një komunikim. Nuk mund të ulesh me dikë për të cilin ke vendosur, para se të ulesh, që ai nuk duhet të ekzistojë fare”, tha ai.
Gonxhja shtoi se të gjitha shqetësimet e ngritura nga të rinjtë gjatë takimit i janë përcjellë kryeministrit Edi Rama, përfshirë edhe ato të studentëve që vijojnë të marrin pjesë në protesta.
“Aty ka shumë studentë të cilët janë pjesë e protestës, kanë qenë pjesë aktive e protestës, janë në protestë dhe mund të vijojnë të jenë pjesë aktive e saj. Ishin aty dhe u dëgjuan me vëmendje. Të gjitha bisedat, me detaje në çdo aspekt, iu transmetuan kryeministrit, sepse është shumë më mirë që ai t'i dëgjojë të gjitha vetë, sidomos ato që na u thanë”, përfundoi Gonxhja./dritare.net