Fotot/ Mëso si të sillesh me plehrat në 6 hapa!
Dritare.net
Koncepti i riciklimit, që është një standard i zhvilluar në pjesën më të madhe të vendeve botërore, në Shqipëri mbetet ende i ri.
Deri më sot, në Shqipëri, jemi mësuar të shohim njerëz në nevojë të komunitetit rom e egjiptian duke kërkuar e gërmuar në kazanët e plehrave për materiale ricikluese, si shishe plastike, apo kanaçe. Edhe pse Bashkitë e qyteteve kryesore kanë vendosur kosha me ndarje specifike për letra, kanaçe, apo plastikë, mbetet shumë për t’u bërë.
Procesi i selektimit të materialeve ricikluese duhet të nisë nga çdo individ, në çdo shtëpi. Shembuj të tillë na i servirin të huajt që e njohin rëndësinë e këtij procesi.
Fotografi i njohur anglez, Robert Hackman, zgjodhi të tregojë për dritare.net me foto, hapat sesi bëhet riciklimi.
E bën vetë, pa asnjë reklamë, pa asnjë detyrim, veç dëshirës për të treguar një rrugë nga duhet të ecim patjetër.
Ai shprehet: “Kam realizuar këto fotografi vitin e kaluar, ndërsa isha me pushime në Shqipëri dhe mendova se do t’i shërbejnë dikujt. Bëhet fjalë për riciklimin e shisheve plastike dhe të qelqit, gjatë stinës së verës. Kjo është një mënyrë ideale si për të lehtësuar punën e pushtetit vendor për të zgjidhur problemin e mbeturinave, ashtu edhe për të ndihmuar ata që mbledhin nga kazanët e plehrave materiale ricikluese, si shishet plastike”.
Ja mënyra sesi veprohet, tregon Hackman per dritare.net
1. Mblidhni materialet e riciklueshme!

2. Shishen plastike shtypeni fort për t’i hequr ajrin dhe vendosini tapën! Në këtë mënyrë, ato nuk do të zënë shumë vend

3. Ruajini kështu, këto materiale të riciklueshme!

4. Shpëlani kavanozat prej qelqi përpara se t’i hidhni!

5. Ndajini këto materiale të riciklueshme në dy qese të veçanta, në mënyrë që personat që merren me mbledhjen e plastikës, të mos marrin edhe ato të qelqit e më pas t’i hedhin diku gjetkë, pasi nuk i nevojiten, duke dëmtuar qëllimin e këtij procesi.

6. Jepini materiale të caktuara ricikluese, personave të duhur. Nëse nuk i gjeni personalisht ata, vendosini pranë koshave të mbeturinave që ata t’i gjejnë kollaj.

Fotografi anglez Hackman, sugjeron se një aktivitet i tillë, do ndihmojë të keni një lagje të pastër dhe të rregullt.
“Riciklimi konsiston në mënyrën e të jetuari, që rrit respektin dhe ndërgjegjësimin ndaj mjedisit dhe vetes. Kërkon pak kohë dhe prej saj përfitojnë mjedisi dhe komuniteti” - thotë ai./dritare.net