Na ndiqni edhe në

Emisionet

Ergis Sefa: Sulmet ndaj bankave rrezikojnë pagat dhe pensionet, frika më e madhe është paniku financiar

Ergis Sefa: Sulmet ndaj bankave rrezikojnë pagat dhe pensionet, frika

Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa ka paralajmëruar se dëmtimi i bankomateve, degëve bankare dhe pikave të Postës Shqiptare gjatë protestave në Tiranë mund të krijojë vështirësi për qytetarët në tërheqjen e pagave dhe pensioneve.

I ftuar në emisionin Intervista e Ditës në DritareTV, Sefa u shpreh se rreziku kryesor nuk lidhet vetëm me dëmet materiale ndaj institucioneve financiare, por mbi të gjitha me përhapjen e panikut në sistemin bankar.

Sipas tij, nëse situata vijon dhe dëmtohen më shumë bankomate e degë bankare, qytetarët mund ta kenë më të vështirë të tërheqin paratë e tyre, veçanërisht në fund të muajit dhe në fillim të muajit të ardhshëm, kur kalojnë pagat.

“Paniku në sistemin financiar do të ishte paralizues”, theksoi Sefa, duke shtuar se një situatë e tillë mund të ndikonte jo vetëm te ekonomia, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.

Eksperti vuri në dukje se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve vazhdojnë të përdorin para në dorë për pagesat e përditshme. Për këtë arsye, dëmtimi i bankomateve mund t'ua vështirësojë tërheqjen e parave, ndërsa dëmtimi i disa pikave të Postës Shqiptare mund të krijojë probleme edhe për pensionistët që i marrin pensionet nëpërmjet tyre.

Sefa theksoi se pagat mund të kalojnë në llogaritë bankare, por dëmtimi i infrastrukturës financiare mund ta bëjë më të vështirë tërheqjen e tyre. Ai nënvizoi se kjo situatë mund të krijojë pasiguri dhe të nxisë panik te qytetarët.

Megjithatë, eksperti u shpreh se, sipas deklaratave të Shoqatës së Bankave dhe bankave individuale, sistemi bankar vijon të funksionojë normalisht dhe qytetarët nuk kanë arsye të shqetësohen për momentin.

Sefa foli gjithashtu për dëmet ndaj bizneseve të vogla, duke theksuar se ato mund të kenë pasoja afatgjata për ekonominë. Sipas tij, më shumë se 90% e bizneseve në Shqipëri janë të vogla dhe familjare, ndaj dëmtimi i tyre mund të godasë drejtpërdrejt të ardhurat e shumë familjeve.

Në përfundim, eksperti bëri thirrje që protestat të vijojnë pa dhunë ndaj pronës private dhe publike, ndërsa kërkoi që palët të ulen në dialog për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Ai paralajmëroi se, nëse dëmtimet vazhdojnë dhe bizneset detyrohen të mbyllen apo të falimentojnë, pasojat mund të përfshijnë rënie ekonomike dhe hezitim të investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri./K.C/dritare.net