Keni marrë një ftesë nga politika për të qenë pjesë?
Nëse unë do të thosha “Jo”, besoj se edhe ju që ju kam përballë, nuk do ta kishit besuar. Për të qenë e vërtetë me ju, jo vetëm sot, por edhe para 4 vitesh, patjetër që eksponentë politikë, duke dashur të fusin njerëz nga shoqëria civile brenda kuadrit politik, bëjnë oferta nga më të ndryshmet. Këto oferta nuk i bëhen vetëm Eni Çobanit, por shumë personazheve, si mediatikë, edhe shoqërorë, edhe socialë. Por kjo është një zgjedhje personale. Zgjedhjen time unë e kam bërë.
Në fakt Eni nuk do të bëhet pjesë e politikës?
Unë nuk jam pjesë e politikës shqiptare. Në momentin që unë do ta mendoj që të bëhem një njeri politik, do të jeni ju të parët që do të merrni mesazhin prej meje. Por unë politikën time e kam zgjedhur, dhe politika ime është vetëm drejtësia.
Po pse nuk keni pranuar deri më tani të jeni pjesë e politikës shqiptare?
Pyetje e vërtetë. Ndoshta këtu është e gjithë problematika. Nuk e kam pranuar, sepse kam besuar se njeriu kur hyn në politikë duhet të ketë realizuar disa gjëra në jetë. Dhe ti, që të vihesh përballë një populli dhe t’i premtosh realizime të caktuara, duhet që për vete të kesh realizuar disa objektiva të jetës tënde. Unë akoma nuk e ndjej veten që i kam realizuar disa objektiva, dhe të dal t’u them shqiptarëve që ‘unë jam modeli që ju duhet të ndiqni’. Më vonë mund të kem kurajën apo guximin të ndërmarr një hap tjetër. Sigurisht që mund të thoni ‘Zonja Eni, keni bërë disa gjëra në jetë’. Unë me veten time dhe në raport me shqiptarët ndjej se kam akoma për të bërë në sistemin e drejtësisë. Unë besoj se jam në vendin e duhur, në kohën e duhur për të ndihmuar shqiptarët.
Mendoni se politikanët shqiptarë i kanë realizuar objektivat, që dalin dhe flasin për modelin që shqiptarët duhet të ndjekin?
Nuk doja t’i jepja vetes të drejtën që të gjykoj. Unë kam bërë detyrën time, kur kam shkuar kam votuar për t’i dhënë vetes mundësinë të reagoj për gjërat që nuk më pëlqejnë. Unë jam një natyrë reaguese dhe gjithmonë i shoh gjërat me sy kritik. Në momentin që ju më pyesni, nuk mund të flas me emra të përveçëm.
Pesë vjet “Shihemi në gjyq”, me qindra raste ku keni marrë pjesë. Sa mendoni se ka ndihmuar Eni në sistemin gjyqësor në Shqipëri?
Drejtësia për mua nuk është thjesht profesion apo pasion, por është mbi të gjitha dashuri. Ngrihem në mëngjes me mendimin se do bëj mirë, dhe ju garantoj që më ndodh shpesh që e përfundoj ditën me dashuri njerëzore dhe këshilla juridike. Kaluan pesë vjet, kanë kaluar në mënyrë të beftë edhe për mua e Gjebrean. Ajo që mua më ka lumturuar më shumë janë takimet në rrugë, ku njerëzit më ndalojnë duke më thënë “Zonja Eni, faleminderit shumë për mësimin që na jepni”. Ne me të vërtetë nuk kemi pasur mundësi t’i takojmë të gjithë, por nëpërmjet komunikimit tonë, ata kanë mësuar disa gjëra. Pra ne kemi ndihmuar edhe shumë shqiptarë të tjerë për të arritur te zgjidhja që ata dëshirojnë.