Zgjedhjet e 23 majit. Çfarë po ndodh brenda PD-së? Flet demokrati Gjergj Nika
Dritare.net

Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike dhe zgjedhjet për kreun e saj më 23 maj 2026 pritet të mos sjellin ndryshime në drejtimin e forcës kryesore opozitare.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Intervista e ditës” në DritareTV, demokrati Gjergji Nika u shpreh se gara për kreun e PD-së duket më shumë si një proces formal sesa një garë reale.
“Unë besoj që data 23 maj nuk do prodhojë politikë dhe as zgjedhje në Partinë Demokratike. Thjesht Berisha do jetë përsëri në krye të saj,” – u shpreh ai.
Sipas tij, mundësia që Sali Berisha të mos kandidojë është thuajse zero, ndërsa zhvillimet e fundit brenda partisë tregojnë për një vazhdimësi të lidershipit aktual.
Në analizën e tij, ai përmendi edhe emra të tjerë që mund të hyjnë në garë, mes tyre Ervin Salianji, por pa gjasa reale për fitore.
“Në momentin që Salianji regjistrohet si kandidat, mundësitë që ta fitojë këtë garë nuk janë më shumë se 20%,” – deklaroi ai.
Sa i përket situatës së brendshme në PD, Nika u shpreh se përplasjet janë të kufizuara dhe të përqendruara kryesisht mes figurave të caktuara.
“Përplasja e vetme reale është mes Berishës dhe Salianjit. Pjesa tjetër nuk ka guximin të dalë kundër,” – tha ai.
Sipas Nikës, problemi kryesor i Partisë Demokratike mbetet mungesa e hapjes dhe përfshirjes së figurave të reja. Ai theksoi se vetëm një reformim i brendshëm mund të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të krijojë një alternativë të fortë opozitare.
“Në momentin që Partia Demokratike të hapet dhe të rregullojë shtëpinë e vet, automatikisht qytetarët do i bashkohen,” – u shpreh ai./K.C/dritare.net