
Kush do ta marrë drejtimin e SPAK-ut? Avokati zbulon emrat që kanë mbështetjen e amerikanëve
Dritare.net
Këto ditë, kryelajmi në vend është hapja e garës për kreun e ri të SPAK-ut, strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur afatin e aplikimit, i cili nis sot dhe zgjat tetë ditë, duke e bërë të mundur për të gjithë kandidatët e interesuar të paraqesin dokumentet për drejtimin e SPAK-ut.
Në lidhje me kandidatët dhe kriteret e përzgjedhjes, në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, avokati dhe pedagogu i Jurisprudencës, Artan Manushaqe, tha:
“SPAK nuk funksionon më në mënyrë piramidale; drejtuesi ka një rol të veçantë në administrimin dhe implementimin e politikave të prokurorisë. Për këtë arsye, profesionalizmi dhe integriteti janë kriteret kryesore për çdo kandidat.”
Ai shtoi se disa nga kandidatët më të fortë janë Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi, të cilët dallohen për eksperiencë, korrektësi dhe aftësi profesionale:
“Doloreza Musabelliu ka përvojë të jashtëzakonshme, integritet dhe doktrinë të plotë. Ajo ka punuar në Krimet e Rënda dhe SPAK që nga viti 2010 dhe flet shumë gjuhë të huaja. Figura e saj është shumë e fortë për kreun e SPAK-ut. Adnan Xholi është super korrekt, korrektësia e tij është evidente në çdo situatë dhe ka eksperiencë të mjaftueshme për të drejtuar strukturën.”
Manushaqe theksoi gjithashtu rëndësinë e pavarësisë së institucionit dhe ndikimin pozitiv të mbështetjes ndërkombëtare:
“Nuk mund të them që një prokuror ose një tjetër është i amerikanëve, sepse çdo njeri tregon integritetin e vet. Së pari ai duhet të jetë njeri i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, zoti Xholi, apo prokurorët e tjerë. Amerika e ka mbështetur dhe do ta mbështesë Reformën në Drejtësi.”
Avokati analizoi edhe kandidatët e tjerë, duke përmendur emra si Dorina Bejko, Vladimir Mara, Klodian Braho, Anita Jella dhe Alfred Shehu, të cilët kanë treguar profesionalizëm dhe integritet gjatë karrierës së tyre.
“Shumica e prokurorëve që po diskutojmë janë profesionistë të përkushtuar, me integritet dhe pa ndikime politike. Ata kanë eksperiencë të mjaftueshme për të kandiduar për pozicione të larta dhe për të përmbushur detyrat në mënyrë korrekte dhe efikase,” tha Manushaqe.
Procesi i përzgjedhjes pritet të përfundojë deri më 16 dhjetor, kur do të njihet kandidati që do të pasojë Altin Dumanin, i cili mbaron mandatin e tij në të njëjtën datë. Publiku dhe opinioni profesional do të njihet me platformat, karrierat dhe CV-të e kandidatëve përpara se të kryhet votimi final./K.C/dritare.net

















