
Xhemal Qefalia: 8 vjet drejtues i 313-ës. Çfarë ndodhte brenda burgut!
Dritare.net
Xhemal Qefalia i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv foli për zgjedhjet, kandidimin e tij në qarkun e Tiranës, në listat e hapura më 11 maj. Po ashtu Qefalia tregoi edhe për kohën kur qe 8 vjet drejtor i burgut 313.
Roland Qafoku: Keni qenë 10 vjet drejtor i burgut 313. Na tregoni si ishin ato vite si drejtor burgu.
Xhemal Qefalia: Unë kam qenë 8 vjet drejtor burgu nga 1998-ta në 2005-ën. Ka pasur shumë revolta në atë burg, të personazheve shumë të njohura.
Gjatë kohës që kam qenë drejtor burgu ka pasur tentativa për t’u arratisur. Por në kohën time nuk është arratisur njeri.
Nuk ishte detyrë e lehtë për mua. Po unë jam munduar që njerëzit që ishin të privuar nga liria, të mos i shihja në kontekstin e veprës që kanë kryer. Mundohesha ta lija jashtë krimin që kishin kryer dhe aty të mbetej njeriu që do jetë pjesë e shoqërisë, pavarësisht akuzës që ka.
Për mua nuk burgosen ata që janë brenda qelisë, por familjarët që presin radhët e gjata për të sjellë ushqim, ndërresa. Ata e vuajnë më shumë dënimin.
Një ngjarje që më ka prekur shumë ishte kur fëmija erdhi të takojë të atin. Familja e të burgosurit ishte shpërbërë, gruaja ishte larguar, fëmijët ishin dërguar në një shtëpi fëmijësh. Një ditë, një punonjëse sociale solli fëmijën 7 vjeç për ta takuar të atin në burg. Ata kishin mall për t’u përqafuar, por nuk mundeshin për shkak të hekurave të burgut. Pasi pashë atë skenë mallëngjyese, i nxora në një lokal në oborr, që i burgosuri të mos e ndiente peshën dhe të mos i ngulitet në mëndke fëmija brenda hekurave. Ishte një emocion, një ngashërim që i ati përqafonte të birin. E mora djalin te zyra pastaj, edhe fola me të./K.C/dritare.net

















