Na ndiqni edhe në

Emisionet

Tregu pranë Medresesë në rrezik! Paralajmërimi i inxhinierit elektrik!

Tregu pranë Medresesë në rrezik! Paralajmërimi i inxhinierit

Një zjarr i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike shkrumboi tregun në zonën “5 Maj” në Tiranë, duke nxjerrë në pah problematikat e rënda të sigurisë elektrike dhe mungesën e sistemeve të parandalimit të zjarrit. Vetëm 50–100 metra më larg ndodhet një tjetër treg i madh, i cili sipas ekspertëve përballet me të njëjtin rrezik.

Në një intervistë për DritareTV, inxhinieri elektrik Azmer Duleviç shprehet se zjarri nuk ishte një ngjarje e papritur, por pasojë direkte e mungesës së çertifikimit të impiantit elektrik dhe përdorimit të materialeve të papërshtatshme.

“Shkëndija elektrike ndodh kur ka ndryshim destinacioni të përcjellësve dhe mungesë totale çertifikimi. Këto impiante janë të pasigurta dhe të pakontrolluara. Në tregje nuk mund të përdoren materiale elektrike si në banesa, pasi ambientet janë të mbushura me materiale lehtësisht të djegshme,” shpjegon Duleviç.

Sipas tij, kabujt elektrikë dhe të gjithë përbërësit duhet të jenë zjarrëdhurues, ndërkohë që në këtë rast kjo nuk ka ndodhur. Problemi kryesor mbetet mungesa e sistemeve profesionale të parandalimit dhe sinjalizimit të zjarrit.

“Nuk ka sensorë tymi, sensorë zjarri, as sistem hidrant apo sprinkler që të izolojnë vatrën dhe ta fikin zjarrin në kohë reale. Tregtarët mjaftohen me një bombël të vogël për të shmangur kontrollet, por zjarri mund të bjerë edhe kur askush nuk është aty,” thekson inxhinieri.

Duleviç nënvizon se infrastruktura elektroenergjetike në shumë zona urbane është në gjendje alarmante. Kabuj të varur si “rrjeta merimange”, të kombinuar me linja njëfazore dhe trefazore, përbëjnë rrezik serioz për zjarr dhe për jetën e qytetarëve.

“Nëse kabulli është i mbingarkuar dhe automati nuk është sipas standardeve, ai shkrihet, merr flakë dhe mund të bjerë në zona të banuara, ku ka fëmijë dhe kalimtarë. Rreziku për humbje jete është real,” paralajmëron ai.

Duke iu referuar tregut të Medresesë, inxhinieri shprehet se rreziku është i njëjtë, pasi edhe aty mungon sistemi hidrant dhe sensorët e nevojshëm. Ai thekson se këto masa nuk janë çështje dëshire, por duhet të jenë detyrim ligjor i zbatuar pa tolerancë.

“Fajin nuk ua vë tregtarëve, por institucioneve. Pa kontrolle reale dhe pa çertifikim periodik, këto ngjarje do të përsëriten. Presim gjithmonë rastin e radhës për ta komentuar,” thotë Duleviç.

Në fund, ai bën thirrje për çertifikim real të impianteve elektrike, sipas standardeve perëndimore, dhe për dëgjimin e zërit të profesionistëve.

“Po flasim për sigurinë e familjeve tona, të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit. Në vitin 2026 është e papranueshme të humbasin jetë njerëzish për shkak të neglizhencës,” përfundon inxhinieri elektrik Azmer Duleviç./dritare.net