Takimi Rama–Mitsotakis, eksperti: Marrëdhëniet duhet të jenë ‘win-win’, jo me fitues dhe humbës
Dritare.net

Në një zhvillim të rëndësishëm për marrëdhëniet shqiptaro-greke, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare në Greqi, ku u prit nga homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Takimi “kokë më kokë”, sinjalizon një përpjekje të re për të përmirësuar dialogun dhe bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje.
Gjatë një interviste për DritareTV, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Egon Loli theksoi se ky takim duhet parë përtej tensioneve të fundit:
“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk përcaktohen vetëm nga episodet e fundit, por nga një histori e gjatë bashkëpunimi dhe sfidash.”
Sipas tij, çështjet e hapura si delimitimi i zonave detare, të drejtat e minoriteteve dhe çështjet historike kërkojnë një qasje të re:
“Palët duhet të ulen në tryezë, të flasin hapur dhe me sinqeritet për të adresuar çështjet që kanë mbetur pezull.”
Vizita vjen në një moment kyç për aspiratat evropiane të Shqipërisë. Loli vlerëson se Greqia mund të luajë një rol mbështetës në këtë proces:
“Nëse ka vullnet politik dhe bashkëpunim, nuk ka arsye pse Greqia të mos mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”
Një tjetër aspekt pozitiv i këtij takimi lidhet me klimën e investimeve dhe bashkëpunimin ekonomik. Edhe pse investimet greke në Shqipëri kanë rënë në vitet e fundit, forume si ai i Delfit po krijojnë hapësira të reja për dialog ekonomik dhe strategjik.
Në përfundim, eksperti thekson rëndësinë e një marrëdhënieje të barabartë dhe konstruktive:
“Nuk duhet të ketë fitues dhe humbës, por një marrëdhënie ‘win-win’ që i shërben të dy vendeve dhe rajonit.”/K.C/dritare.net