Si i morëm në shtëpi pushtuesit italianë! Tregon 90-vjeçari
Dritare.net

Në rrëfimin e tij në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV, ish-ambasadori Syrja Laze ndalet me emocione te një episod pak i njohur i luftës: mënyra se si banorët e Skraparit dhe shqiptarët në tërësi, strehuan dhe ushqyen ushtarët italianë pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943.
Pasi kapitulloi Italia, shumë ushtarë italianë, thotë ambasadori, mbetën në territorin shqiptar, të çarmatosur dhe të braktisur nga komanda e tyre. Në vend që të trajtoheshin si armiq, ata u strehuan nga familjet shqiptare.
“I morën dhe u thanë: hajdeni punoni. Hapën kanale, punuan në bujqësi, ndërtuan një çezmë që është edhe sot në Skrapar. I ushqenim ne." – tregon Laze.
Në një kohë kur gjermanët po zbrisnin në territor dhe situata ishte e rrezikshme, shumë shqiptarë i fshehën italianët, duke i shpëtuar nga ndëshkimi apo deportimi. Ishte një akt njerëzor, përtej vijave të luftës.
“Kishin qenë pushtues, por kur u dorëzuan, nuk i pamë më si armiq,” – shprehet ai.
Kjo histori e jashtëzakonshme do të tregohet shumë shpejt në një dokumentar nga gazetarja Rudina Xhunga në Dritare TV. Dokumentari synon të sjellë dëshmi historike, dokumente dhe rrëfime që hedhin dritë mbi këtë kapitull pak të njohur të historisë, ku shqiptarët u bënë strehë për ish-armiqtë e tyre.
Në qendër të këtij projekti është pikërisht dimensioni njerëzor i historisë: fshatarë që ndanë bukën me ushtarë të huaj, familje që rrezikuan për të shpëtuar jetë dhe një komunitet që, mes luftës, zgjodhi humanizmin./K.C/dritare.net