Na ndiqni edhe në

Emisionet

Rrëfimi i dëshmitarit okular: Ju tregoj kush ishte fajtor për tragjedinë e Fekenit në Malin me Gropa!

Rrëfimi i dëshmitarit okular: Ju tregoj kush ishte fajtor për

Më 6 shkurt 1981, një nga tragjeditë më të rënda të ushtrisë shqiptare ndodhi në Mali me Gropa, pas malit të Dajtit. Nga rënia e një orteku dëbore, humbën jetën 11 persona: 8 studentë dhe 3 pedagogë të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.
Ngjarja ndodhi gjatë një stërvitjeje të planifikuar, që sipas dëshmive zhvillohej çdo vit në atë zonë. Askush nuk e mendoi se stërvitja e vitit 1981 do të kthehej në një tragjedi me përmasa të rënda.



I ftuar në emisionin Dekalog me gazetarin Roland Qafoku, Rushan Dosti, dëshmitar okular i tragjedisë së 6 shkurtit 1981 në Mali me Gropa, foli për herë të parë publikisht për atë që ndodhi ditën e tragjedisë.
Gjatë rrëfimit të tij, Dosti deklaroi se ngjarja u shoqërua me vendime fatale, ndërsa pas saj nuk u zhvillua asnjë hetim i thelluar, duke shtuar se përgjegjësitë mbetën të paqarta për dekada. Ai theksoi se kushtet e rrezikshme atmosferike u injoruan dhe se tragjedia mund të ishte shmangur.
Sipas Dostit, heshtja institucionale e ka kthyer këtë ngjarje në një nga episodet më të rënda dhe më pak të zbardhura të historisë së ushtrisë shqiptare.
Pas ortekut të parë, sipas Dostit, u dha alarm për ndihmë, por ndërhyrja u bë pa protokoll sigurie, duke çuar në rënien e një orteku të dytë, i cili shkaktoi pjesën më të madhe të viktimave.
Ai deklaroi se shumë nga të plagosurit u dëmtuan rëndë gjatë përpjekjeve për shpëtim, ndërsa transportimi u krye në kushte ekstreme, me studentë që mbanin shokët e plagosur për dhjetëra minuta në dëborë.
Dosti tha se nuk u hap kurrë një hetim zyrtar për përgjegjësitë e komandës dhe strukturave organizuese, ndërsa ngjarja u minimizua dhe nuk u raportua publikisht në media në atë kohë, për shkak të censurës.
Një tjetër detaj i zbardhur ishte se stërvitja në të njëjtën zonë vijoi edhe vitet pasuese, pavarësisht tragjedisë, pa u bërë transparente masat parandaluese.
“Unë mund të isha një nga ata”
Dëshmitari okular tregoi se ai vetë i shpëtoi tragjedisë rastësisht, pasi ndodhej në një drejtim tjetër të stërvitjes.
“Unë mund të isha njëri nga ata. Ky është motivi pse nuk kam reshtur kurrë së kërkuari të vërtetën,” deklaroi ai.
Ai përshkroi skena paniku, studentë të plagosur rëndë dhe përpjekje ekstreme për t’i transportuar në dëborë drejt pikave të evakuimit.
Në emision u përmend edhe libri i Dostit, “Dëshmorët e Fëkenit”, i cili dokumenton historitë e 11 viktimave dhe synon të mbajë gjallë kujtesën për ta.
“Ky libër është një homazh për ata djem. Ata nuk duhet të harrohen dhe as të mbeten pa drejtësi,” u shpreh ai./E.P-dritare.net