
Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 maji, ish-deputeti Maliqi: Kambanë alarmi dhe për opozitën!
Dritare.net
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit ka ndezur sërish debatin politik në vend. Gazetari Roland Qafoku në Dekalog, Dritare TV prezantoi gjetjet kryesore të raportit, ku theksohet se dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë.
I ftuar në studio, ish-deputeti Lefter Maliqi, reagoi ashpër duke deklaruar se gjetjet e raportit e bëjnë procesin të pavlefshëm. "Këto de facto janë zgjedhje që nuk njihen," tha Maliqi, duke argumentuar se përdorimi i burimeve shtetërore dhe intimidimi i votuesve, të konfirmuara edhe nga OSBE, përbëjnë një "masakër elektorale".
Ai e përshkroi garën si një ndeshje futbolli të pabarabartë, ku opozita luante me "shtatë-tetë lojtarë" kundër 11 lojtarëve të pushtetit. Maliqi shtoi se ai personalisht kishte denoncuar raste konkrete të abuzimit me administratën te vëzhguesit e OSBE/ODIHR gjatë fushatës, por këto denoncime nuk kanë marrë përgjigje nga drejtësia vendase.
Ai shprehu shpresën se ky raport do të shërbejë si një kambanë alarmi për një reflektim serioz nga ana e opozitës./dritare.net

















