

Analisti Mentor Kikia në Dritare Tv ka komentuar kërkesën e Gazment Bardhit për interpelancë me Edi Ramën për çështjen Xibraka, ku deputeti ka hedhur akuza ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama.
Zoti Kikia u shpreh se akuzat e Bardhit dhe padia për shpifje nga ana e vëllait të kryeministrit, do të marrin përgjigje nga SPAK, ku shtoi se interpelanca e kërkuar nuk lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e detyrës së Ramës si kreu i qeverisë ndaj dhe është rrëzuar.
“Është një nga ato histori që në Shqipëri nuk zgjidhen nga organet përkatëse, por interferojnë edhe në debatin e përditshëm politik. Akuzat që ka bërë Bardhi janë nxjerrë më herët nga dosja e një hetimi që është bërë ndaj një organizate të hershme të trafikut të kokainës me bazë në Xibrakë të Elbasanit, nga ku e ka marrë emrin edhe dosja. Një grup trafikantësh shqiptarë dhe kolumbianë kishin ngritur në Xibrakë një bazë të koncentrimi të drogës, e cila vinte në forma të ndryshme nga Amerika e Jugut dhe kristalizohej sërish për t’u bërë kokainë e pastër. Supozohet në atë dosje ka mbetur një person i paidentifikuar dhe targa e një automjeti që hynte dhe dilte në pikat kufitare të Shqipërisë. Bardhi pretendon se nga verifikimet e bëra dhe që në dosje nuk janë reflektuar, që personi i paidentifikuar është vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.
Më pas rikthehet sërish çështja në SPAK, Bardhi depoziton faktet e reja ndërsa Olsi Rama e padit për shpifje. Tani është SPAK që do duhet të vendosë por historia shkon edhe në Parlament, ku Bardhi kërkon interpelancë me Ramën, mazhoranca voton kundër dhe fillon debati politik mbi çështjen. Por interpelancat kërkohen me zyrtarë të qeverisë, me objekt që lidhen drejtpërdrejtë me ushtrimin e detyrës. Nuk mund të thërrasësh ministrin e Arsimit se pse nuk bie shi. Edhe në këtë rast kërkesa e Bardhit është konsideruar si jashtë funksioneve të Ramës si kryeministër”, tha zoti Kikia./M.K-dritare.net

















