Na ndiqni edhe në

Emisionet

Një djalë shqiptar kampion i MotoAmerica. Flet Alessandro Di Mario!

Një djalë shqiptar kampion i MotoAmerica. Flet Alessandro Di Mario!

Në rrugët plot jetë të Pazarit të Ri në Tiranë, një fytyrë e re por tashmë e njohur në botën e motoçiklizmit ndërkombëtar, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Aleksandro Di Mario, kampioni 16-vjeçar i MotoAmerica, i cili rrëfen historinë e tij unike në Dritare TV.

Me një karrierë që ka nisur që në moshën 4-vjeçare në Itali, i frymëzuar nga babai i tij, Aleksandro ka arritur të ngjitet në majat e suksesit. Ai është shpallur dy herë kampion në kategorinë prestigjioze MotoAmerica, duke konkurruar dhe triumfuar ndaj pilotëve shumë më të mëdhenj në moshë. Nëna e tij, një figurë kyçe në rrugëtimin e tij, shprehet me krenari për arritjet e djalit, por mbi të gjitha për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës shqipe.

“Është kënaqësi e madhe kur fëmijët flasin gjuhën tënde. Kjo i mundëson të komunikojë lirshëm me të gjithë familjarët sa herë që vijmë këtu,” thotë ajo, duke theksuar se familja ka qenë gjithmonë pranë tij në çdo garë, duke i ofruar mbështetjen e nevojshme në një sport sa të bukur, aq edhe të rrezikshëm. Rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. Pas transferimit në Amerikë, familja u përball me sfidën e gjetjes së një ambienti të përshtatshëm për sportin e motoçiklizmit, i cili nuk është aq popullor sa në Evropë.

Megjithatë, talenti i Aleksandros shpërtheu shpejt. Ai fitoi “The North America Talent Cup” në moshën 13-vjeçare, një arritje që i hapi dyert drejt sponsorëve dhe njohjes ndërkombëtare. Ky ishte vetëm fillimi, pasi më pas do të vinin dy titujt kampion në MotoAmerica. Përveç suksesit në pistë, Aleksandro është një kampion edhe në jetën akademike. Ai ka arritur të mbarojë gjimnazin dy vite para kohe, duke kombinuar dy klasa në një, një vendim strategjik për t'iu përkushtuar plotësisht karrierës sportive. Kjo disiplinë e shoqëron edhe në stërvitjen e përditshme, e cila përfshin palestër dhe përgatitje fizike intensive. Kur flet për Shqipërinë, sytë i shkëlqejnë.

Ai përmend me nostalgji ushqimin, veçanërisht byrekun e tezes, detin në Gjirin e Lalëzit dhe “gocat shqiptare”.

I pyetur për të ardhmen, Aleksandro zbulon se vitin e ardhshëm do të garojë me gjigantin e motoçiklizmit, Ducati, në kategorinë “super sport”. Ndërsa për sfidën më të madhe, se cilin flamur do të përfaqësonte mes Shqipërisë dhe Italisë nëse sporti do të zhvillohej këtu, ai mbetet diplomatik: “Është një zgjedhje e vështirë, duhet ta mendoja”. Në fund, ai lëshon një mesazh të thjeshtë por të fuqishëm për të gjithë moshatarët e tij: “Mos rrini shumë në telefon, bëni sport dhe bëhuni kampionë”.

Historia e Aleksandros është dëshmia se pasioni, puna e palodhur dhe mbështetja e familjes janë çelësi për të pushtuar botën, pa harruar kurrë se nga vjen./dritare.net