Nga inxhinier në marangoz, jeta e vështirë e një emigranti shqiptar!
Dritare.net

Në një lidhje direkte nga Zyrihu për emisionin “Jeta Ime” në Dritare TV, Julian Sula ndau historinë e tij të emigrimit, një rrëfim personal që prek plagët e një brezi të tërë shqiptarësh. Më shumë se dy dekada pasi u largua nga Shqipëria, Juliani zbuloi se arsyeja kryesore që e shtyu drejt këtij vendimi ishin sfidat që përjetonte në shoqërinë e atëhershme.
“Nuk e gjeta veten në dyfytyrësinë që zhvillohej në Shqipërinë e atyre viteve,” shprehet ai, duke kujtuar vitin 2000 kur, në moshën 20-vjeçare, la pas vendlindjen. Ishte një periudhë e vështirë, e dalë nga trazirat e vitit 1997, që i kishin grabitur edhe mbrëmjen e maturës. Sfidat vazhduan edhe në Zvicër.
Me një diplomë inxhinierie të përpunimit të drurit nga Shqipëria, e cila u konsiderua e vjetëruar, puna e parë ishte “me lopatë” në ndërtim.
“Kur të ketë 100 vreshta mbi Zyrih, vetëm atëherë mund të ketë punë për ty si inxhinier,” i kishin thënë në zyrën e punës. Jeta e tij profesionale kaloi përmes punësh të ndryshme, përfshirë atë të marangozit për tetë vite, përpara se të gjente thirrjen e tij të vërtetë. Duke ndjekur një dëshirë të hershme, të lindur nga angazhimi vullnetar me Kryqin e Kuq në Shqipëri, Juliani iu përkushtua infermierisë. Sot, ai punon në një shtëpi kure private për pacientë me demencë dhe Alzheimer, një punë që e përshkruan si të vështirë por shpërblyese, ku ai luan rolin e infermierit, mikut, madje edhe “dhëndrit” për pacientët italianë. Jeta personale ka pasur gjithashtu kthesat e saj.
Ai u martua me një shtetase zvicerane, me të cilën ka një vajzë, por martesa përfundoi në një divorc të vështirë.
Shoku kulturor, siç e përshkruan ai, mbetet një sfidë e vazhdueshme, pavarësisht viteve të kaluara. Sot është i martuar me një shqiptare nga Kosova, të cilën e ka njohur gjatë udhëtimeve të tij me motor nëpër Evropë. Reflektimet e tij mbi jetën janë të thella, të formuara nga përvojat me pacientët e tij. “Kam kuptuar dy koncepte: le të jesh i mbuluar me florinj, nuk ka vlerë. Dhe mos i jep momentit pak jetë, por jepi jetës ca momente,” thotë ai.
Ky mendim e ka çuar drejt një pyetjeje që mundon shumë emigrantë, çfarë ndodh me prindërit e mbetur pas?
Juliani rrëfen se po mendon seriozisht të kthehet në Shqipëri për t'u kujdesur për ta, duke pranuar se nevoja për të qenë pranë tyre në vitet e fundit të jetës është një thirrje e fuqishme. Historia e tij është një pasqyrë e sakrificave, sfidave dhe realiteteve komplekse të jetës në emigracion./dritare.net