
Në 2013 u riktheva, por Shqipëria më përzuri edhe një herë!
Dritare.net
Agetina Pacani iku nga Shqipëria në Athinë, para 25 vjetësh. Historinë e jetës së saj në Greqi, e tregoi në ciklin Jeta ime të emisionit Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV. Çdo ditë të më shumë se 2 dekadave në emigrim, e mendon kthimin në atdhe. E më shumë se ç’e mendon, e dëshiron. Në vitin 2013, ajo bindi bashkëshortin dhe vajzat, të kthehen në Tiranë, e të nisin këtu shkollën dhe jetën nga e para. Gjatë emisionit Shqip nga Rudina Xhunga, zonja Pacani tregoi se çfarë e bëri të marrë vendimin për ta lënë edhe një herë Shqipërinë.
“Vajzat kanë qenë shumë të mira në mësime. Vajza e madhe fitoi shkollën e lartë të shtetit, por në një ishull. Ishte e vështirë për ne të përballonim dy qira, ndaj mendova me vete se kjo ishte dita që unë mund ta shfrytëzoja për t’u kthyer në Shqipëri.
Mendova me vete, erdhi dita ime.
Ua mbusha mendjen për t’u kthyer. Marrim valixhet e kthehemi në Tiranë. Si fillim vetëm unë me vajzat e mandej do të vinte edhe burri. Pritem deri në shtator për aplikimet në shkolla.
Pas aplikimit mësuam se vajzës nuk i doli bursa në Shqipëri. U shqetësova shumë.
E sikur të mos mjaftonte kjo, vajzën e vogël nuk pranonin të ma regjistronin në shkollën Qemal Stafa, për vitin e parë gjimnaz. Ishte me nota shumë të mira, por nuk e dija që kjo shkollë, nuk pranonte çdo nxënës. Kështu që nuk ma regjistruan vajzën. Vendosa të taakoj drejtorin, sepse unë doja me doemos ta regjistroja në atë shkollë sepse ne banonim aty pranë. Kur takova drejtorin më pyeti nëse vajza di shqip. I them, pak.
Më sugjeroi të shkojmë në një shkollë tjetër, sepse sipas tij vajza do të përballej me traumë për shkak edhe të ndryshimeve por ngulmova se unë jetoja në atë lagje. Kështu e regjistroi por vajza kur dëgjoi bisedën, pasi dolëm nga zyra, tha se nuk donte të shkonte në shkollë. Dhe nuk shkoi.
Shoqja ime më sugjeroi të shkoja te ministria e Arsimit. Një javë ndenja pas derës për të caktuar takimin. Nuk e dija, që duhet të jepja lekë, për të rezervuar takimin.
E rezervova takimin, me ministren e Arsimit të asokohe, që ishte Lindita Nikolla. Zonja më priti shumë mirë. I thashë hallin që kisha se vajzës nuk mi ka dalë bursa vajzës. E pyeta si ka mundësi që në Greqi, shteti i jep bursë dhe vendi vet jo? Ajo më tha një fjalë magjike, që më bëri të vendos një herë e mirë për fatin tim e të vajzave të mia.
Ata që kanë para duan t’i çojnë fëmijët për studime jashtë, ju doni t’i ktheni në Shqipëri? Këto fjalë më bënë të marr valixhet e të kthehem sërish në Greqi”, u shpreh Agetina në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV./L.F-dritare.net

















