Na ndiqni edhe në

Emisionet

Misteri i lisit në Paftal, pse askush nuk guxoi ta presë për 250 vite!

Misteri i lisit në Paftal, pse askush nuk guxoi ta presë për 250

Në zemër të fshatit Paftal, vetëm pak kilometra larg qytetit të një mbi një dritareve, Beratit, ngrihet një biznes familjar që ka lidhur fatin e tij me natyrën dhe historinë. Restorant "Lisi", i cili merr emrin nga një lis madhështor mbi 250-vjeçar, nuk është thjesht një vend ku shijohet ushqimi, por një destinacion ku ndërthuret miti, tradita kulinare dhe mikpritja shqiptare.

Në Dritare TV, ne zbulojmë historinë, sekretet e kuzhinës dhe sfidat e të bërit biznes në zonat rurale. Emri i restorantit nuk është një zgjedhje e rastësishme. Siç tregon Arsilon Tahiraj, pronari i biznesit, cili ka zgjedhur të investojë në vendlindjen e tij pas studimeve për hoteleri, lisi që hijeshon oborrin ka një histori të veçantë. Pleqtë e fshatit tregojnë se pema është e shenjtë dhe mbrohet nga besëtytni të vjetra; askush nuk guxon ta presë apo ta dëmtojë, pasi besohet se sjell fatkeqësi.

Madje, legjenda lidhet edhe me një kishë pa çati në malin e Shpiragut, ku besimtarët shohin një lidhje mistike mes drurit dhe kultit fetar. Kjo atmosferë legjendash tërheq turistë të shumtë, të cilët nuk largohen pa e përqafuar lisin për fat të mirë. Por zemra e restorantit rreh në kuzhinë, aty ku Zonja Lela, mamaja e Arsilonit dhe shefe e kuzhinës, ruan me fanatizëm recetat e gjyshes. Duke qenë se jemi në prag festash, vëmendjen kryesore e merr "Mbreti i Tryezës" – Gjeli i Detit.

Sekreti i shijes së tij në Restorant "Lisi" qëndron te pjekja tradicionale në saç.

Ndryshe nga furrat moderne, saçi i jep mishit një aromë të tymosur druri dhe ruan lëngjet brenda, duke e bërë atë të butë dhe të shijshëm. Shoqëruesi i pandarë i gjelit është përsheshi, i përgatitur me kulaç shtëpie të thërrmuar dhe lëngun e pasur me erëza, veçanërisht nenexhikun (nane), që i jep freskinë karakteristike zonës së Beratit. Përveç gjelit, menuja pasurohet me lakrorin me 12 lloje lakrash të egra, yshmerin me 30 petë të pjekura me vezë e qumësht, dhe sigurisht, ëmbëlsirën e artë të fundvitit, bakllavanë.

Zonja Lela zbulon se sekreti i bakllavasë nuk është vetëm te 80 petët e holla apo arrat e bollshme, por te durimi, pjekja e ngadaltë për katër orë dhe shërbeti i përsosur me pak limon për të shmangur sheqerosjen.

Restorant "Lisi" ka krijuar një zinxhir vlerash duke mbështetur rreth 25 familje të zonës, nga të cilat blen produktet bio, që nga mishi e deri te bulmetrat dhe zarzavatet. Megjithatë, sfidat nuk mungojnë.

Arsilon flet hapur për vështirësitë e gjetjes së stafit të kualifikuar për shkak të emigrimit të të rinjve. Pavarësisht këtyre, ai dhe familja e tij mbeten optimistë, me plane për të zgjeruar aktivitetin edhe në fushën e hotelerisë, duke e kthyer Paftalin në një pikë referimi për turizmin në Berat./dritare.net