Pse vdiqën dy arvanitasit Anastas Jano Kullurioti dhe Aristidh Kola! Flet studiuesja
Dritare.net

E ftuar ne emisionin Dekalog nga Roland Qafoku ne DritareTV, studiuesja Jolanda Lila ka ngritur një debat të fortë mbi fatin e dy figurave të njohura arvanitase, Anastas Jano Kullurioti dhe Aristidh Kola, duke i cilësuar rrethanat e vdekjes së tyre si “mister të errët”.
Gjatë bisedës, Lila u shpreh se në rastin e tyre ekzistojnë shumë pikëpyetje dhe interpretime të hapura. “Mendoj qe të dy janë helmuar,” tha ajo, duke shtuar se këto janë vlerësime që nuk mbështeten në dokumente të plota, por në analiza dhe dyshime.
Sipas saj, vdekja e tyre nuk mund të ndahet nga konteksti i gjerë i identitetit arvanitas në Greqi. “Nuk ishte në interesin e Greqisë përhapja kumteve përmes shtypit,” u shpreh Lila, duke argumentuar se në atë periudhë, shfaqja publike e këtij identiteti shihej si e ndjeshme.
Ajo shtoi gjithashtu se, sipas saj, arvanitasit sot përballen ende me një lloj presioni shoqëror: “Shumë prej tyre kanë frikë të tregojnë që janë arvanitas, madje e konsiderojnë turp,” tha ajo gjatë intervistës.
Në diskutim u përmend edhe ideja se në Greqi mungon njohja e pakicave kombëtare, çka sipas saj ka ndikuar në zbehjen e identitetit arvanitas.
Megjithatë, Lila theksoi se nuk ka prova të drejtpërdrejta për akuzat e ngritura: “Nuk ka diçka të shkruar, por mund të jetë edhe urrejtje individësh të caktuar,” duke lënë të hapur interpretimet mbi rrethanat e vdekjes së tyre.
Deklaratat e bëra në studio kanë hapur debat mbi figurat historike arvanitase dhe mënyrën se si trajtohet trashëgimia e tyre kulturore në rajon./K.C/dritare.net