Mbreti i liqenit të Ohrit! Ja sekreti se si gatuhet peshku Koran!
Dritare.net

Në ujërat e kristalta të Liqenit të Ohrit noton një thesar i vërtetë gastronomik, peshku Koran. Ky lloj i veçantë peshku për këtë zonë është bërë simboli i kulinarisë pogradecare dhe një atraksion kryesor për vizitorët që zgjedhin të pushojnë në fshatin piktoresk të Linit.
Vendasit shpjegojnë me pasion detajet që e bëjnë këtë peshk kaq të veçantë. Korani dallohet për piklat e tij karakteristike, të cilat mund të jenë të kuqe ose të zeza, duke i dhënë atij një pamje që shpesh përshkruhet si 'kuqezi'. Banorët vendas tregojnë se shija e tij është e pakrahasueshme, aq sa shpesh është e vetmja arsye pse turistët kthehen vit pas viti në brigjet e liqenit.
Përgatitja e Koranit është një art më vete. Tradita e do që ai të gatuhet në tavë, shpesh me qepë dhe arra, një recetë e trashëguar brez pas brezi. Kërkesa për Koran është gjithmonë e lartë, madje shpesh duhet porositur paraprakisht për të siguruar freskinë maksimale. Peshkatarët dhe pronarët e restoranteve punojnë shumë për të sjellë në tavolinë produktin më të mirë të mundshëm.
Përveç shijes, Korani përfaqëson edhe një burim krenarie identitare për banorët e Linit, të cilët e shohin atë si një dhuratë të natyrës që duhet ruajtur dhe promovuar me kujdes./dritare.net
