
Kjo është pika e fortë e Edi Ramës! Flet Spartak Braho
Dritare.net
Spartak Braho ish-deputeti i Partisë Socialiste foli në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV për drejtimin e PS-së nga Edi Rama, por edhe për qeverisjen e tij në tre mandate. Zoti Braho tha se Edi Rama ka të meta në qeverisjen e tij në qasjen ndaj politikave të majta, por vlerësoi në mënyrë të veçantë politikën e jashtme si një pikë të fortë të kryesocialistit, po kështu edhe fytyrën e re që u ka dhënë qyteteve shqiptare.
Roland Qafoku: Si po qeveris PS?
Spartak Braho: PS, jo rilindja, sepse kjo është një shpikje artificiale e kryeministrit Edi Rama, që shumë shpejt doli nga qarkullimi. Nuk ka më rilindje. Me ato objektiva që ai i vuri rilindjes nuk arriti ti realizojë. Një nga defektet e Ramës ishte se donte ta konsideronte historinë e PS, atë që vinte pas tij. Unë i kam thënë Edi Rama që historia e PS nuk fillon kur ju u bëtë kryetar i saj. Historia më e lavdishme e PS është bërë tërë periudhën e qeverisjes së Nanos. Edi Rama për mua është një shtetar i zgjuar, por nuk është socialist. Ai ka shumë ide pozitive por nuk përfaqëson brumin që ka në ide e majta. Rama është një përzierje idesh. Ndonjëherë më ngjan më shumë i djathtë se sa i majtë. Një tregues është mungesa e interesit të shtresave në nevojë. E kam fjalën për pensionistët, veteranët.
Rama mund të ketë 3 mandate si kryeministër por ende nuk është bërë burrë shteti. Burrë shteti ka qenë Enver Hoxha. Unë nuk jam enverist, sepse ai ishte diktator. Them burrë shteti sepse kreu veprime që zënë vend themelor në krijimin e shtetit shqiptar. Flas për Luftën e Dytë Botërore dhe kufijtë e Shqipërisë.
Në historinë e tij shteti shqiptar ka vetëm dy luftëra të fituara: të Skënderbeut dhe në Luftën e Dytë Botërore. Ismail Qemali është gjithashtu burrë shteti, sepse e krijoi shtetin, ndërsa Hoxha e ruajti.
Roland Qafoku: A është normale që Rama kërkon edhe një mandat të katërt?
Spartak Braho: Patjetër që po. Kush ta marri tjetër? Këtu kemi arritur, përballë tij nuk ka asnjë alternativë tjetër. Unë Edi Ramën nuk e përkrah në 60% të koncepteve të tij politike, por nuk mund të mohoj punën e madhe që është bërë në transformimin e vendit përgjatë këtyre viteve.
Punë e madhe është bërë në ndërtimin e Shqipërisë. Të gjitha qytetet kanë ndryshuar 100% dhe kjo është vepër dhe meritë e Edi Ramës dhe unë për këtë i them bravo të qoftë. Një zhvillim shumë pozitiv është gjithashtu edhe ndërtimi i rrugëve të reja. Në politikën e jashtme Rama është shumë aktiv, patriot, autoritar, pavarësisht se shpesh shkon me atlete në takimet ndërkombëtare. Por ajo është natyra e tij.", tha Braho në DritareTV./K.C/dritare.net

















