Na ndiqni edhe në

Emisionet

I persekutuar dhe i dënuar, i pari me shkollë të mesme në fisin e tij! Flet Fitim Zekthi

I persekutuar dhe i dënuar, i pari me shkollë të mesme në

Në emisionin Dekalog të Roland Qafokut në DritareTV, gazetari, analisti dhe profesor universitar, Fitim Zekthi rrëfen me detaje historinë e jetës së tij dhe familjes, një histori e mbushur me persekutime dhe vështirësi gjatë regjimit komunist.

“Unë i mbroj kauzat e djathtë sepse unë në fakt mendoj si i tillë,” thotë Zekthi, duke kujtuar periudhën kur ishte gjimnazist dhe familja e tij mbështeti me shumë vrull ndryshimet demokratike. “Kur ndodhën dyshimet demokratike, unë isha gjimnazist dhe familja ime me shumë vrull përkrahu partinë demokratike për shkak të të kaluarës së vet gjatë komunizmit.”

Fisi i tij kishte një histori të errët nga regjimi komunist. “Djali i xhaxhait të gjyshit tim ka qenë i pushkatuar nga regjimi komunist, si një njeri i Ballit Kombëtar që në vitet 45 apo 46 u pushkatua pa gjyq në liqenin e Belshit,” rrëfen ai. “Po fisi ynë në përgjithësi, familja jonë kemi qenë me biografi të keqe. Kemi patur probleme shumë serioze me komunizmin.”

Gazetari përshkruan diskriminimin e thellë që përjetoi: “Unë ndjeva mjerimin e thellë, diskriminimin e plotë dhe faktin që në fisin tim i pari me shkollë të mesme jam unë. As në shkollë të mesme nuk i çonin.” Ai tregon se vuante më shumë për shkak të diskriminimit që përjetonin prindërit e tij. “Babai im punonte në kooperativë, pastronte plehun e lopëve, edhe nëna ime. Shkonin hapnin tokat e reja. Ka qenë ai budallallëku që të hapin tokat e reja dhe norma ishte 10 metra katrorë. Ata merrnin 10 lekë dita, ndërkohë që një bukë misri ishte 30 lekë.”

Jeta e vështirë e familjes dhe frika nga regjimi ishte gjithnjë prezente. “Babai im kishte shumë frikë sepse kishte histori edhe më të dhimbshme. Ai kishte vuajtur shumë në ushtri, e kishin dënuar për gjëra të vogla dhe kështu kishte frikë,” thotë Fitim. “Gjyshi ishte më i vjetër, më i guximshëm, kishte refuzuar punën në kooperativë.”

Një përballje e veçantë e tij në shkollë mbetet e paharruar. “Në ‘89 unë isha në vit të parë në gjimnaz dhe i bëra një pyetje profesorit të historisë së partisë: ‘Kemi klasë punëtore dhe fshatarësi punonjësi, këto janë dy klasat tona. Ndërkohë kemi shtet diktaturës së proletariatit. Po se na duhet ky shtet kur s'kemi proletariat?’” Për këtë pyetje, profesori Riza Peqini e goditi me shuplakë dhe e nxori jashtë klase. “Unë isha 14 vjeç, asokohe. Nuk ishte burrë i keq, thjesht një komunist.”/K.C/dritare.net