
Fitim Zekthi: Pse nuk mund të bashkohet Rithemelimi me PD!
Dritare.net
Fitim Zekthi në Dritare TV ka komentuar kërkesën e deputeti Gazment Bardhi, për bashkimin me PD-në zyrtare. Anëtari i Kryesisë në PD theksoi se kërkesa e Bardhit vjen pasi ky i fundit kërkon protagonizëm, për interesa personale jo për të zgjidhur krizën e opozitës.
Ndër të tjera Zekthi shtoi se PD ndodhet në një korrupsion të gjerë, moral dhe politik prej shumë vitesh, jo vetëm pas shpalljes së Sali Berishës non grata.
“Kërkesa e Bardhit për bashkim është qesharake, kur një subjekt politik ka hyrë në një krizë të thellë. Ka fragmente që nuk zgjidhen, duke thënë hajde bashkohemi, por për reflektim të thellë, që të tërhiqen të gjithë nga pak dhe të kërkojnë ndjesë. Situata duhet zgjidhur në parti, kjo forcë politike ka një sëmundje që ka shkaktuar këto gjera. Nuk është politika, kur ti bën gjithçka sipas interesave, por duhet të shpalosen ide. Duhet kuptuar se pse ndodhi kjo luftë në PD. Përgjegjësia duhet të kërkuar te vetja, ndryshe nuk mund të flasim për parti të djathtë.
Nuk ke lidhje me të djathtën, kur sjellja politike shkon drejt fyerjes, shantazhit dhe është e mbushur me njerëz të korruptuar. Ftesat e Bardhit dhe Boçit, nuk janë për reformë por për interesat personale, për protagonizëm politik. Reforma bëhet me njerëz që kanë përgjegjësi, jo që ta shohin veten protagonizëm. Ky është problemi, vjen pasi korrupsioni moral dhe politik nuk ka nisur si Berisha u shpall non grata, por PD është zhytur në korrupsion të gjerë që prej 2019”, deklaroi Zekthi./M.K-dritare.net

















