Fatos Mahmutaj: Unë e pashë kush qëlloi më 21 Janar!
Dritare.net

Gazetari Fatos Mahmutaj, i plagosur gjatë protestës së 21 janarit 2011 përpara Kryeministrisë, ka deklaruar se çështja e vrasjes së katër protestuesve nuk do të zbardhet kurrë, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe institucional.
I ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” në DritareTV, Mahmutaj tha se vrasjet e 21 janarit përbëjnë një nga krimet më të rënda shtetërore në historinë moderne të Shqipërisë, të kryera “ditën për diell”, në një nga momentet më të dokumentuara ndonjëherë, me dhjetëra kamera dhe prova filmike.
Sipas tij, SPAK po zvarrit qëllimisht hetimet, duke pritur parashkrimin e çështjes. “Nuk ka për ta zbardhur kurrë. Po presin të kalojë afati ligjor që çështja të mbyllet”, u shpreh Mahmutaj.
Gazetari rrëfeu edhe momentin e plagosjes së tij, duke theksuar se ndodhej në protestë në cilësinë e gazetarit dhe jo si protestues. Ai deklaroi se ndaj grupit ku ndodhej u qëllua drejtpërdrejt nga dy drejtime të ndryshme:
– nga bodrumi i Kryeministrisë, ku sipas tij ka qëlluar gardisti Agim Llupo
– dhe nga taraca e Kryeministrisë, ku u hap zjarr me armën e ish-shefit të Gardës, Ndrea Prendi, nga Arian (Arjan) Adhami, atëkohë pjesë e sigurisë së afërt të kryeministrit.
“Këta dy persona kanë qëlluar drejt nesh në të njëjtin moment. Gjasat janë që Hekuran Deda të jetë vrarë nga plumbat e Agim Llupos”, deklaroi Mahmutaj, duke shtuar se ndodhej vetëm pak centimetra larg viktimës dhe ishte dëshmitar okular i momentit fatal.
Mahmutaj denoncoi gjithashtu se në Shqipëri nuk iu krye asnjë ekspertizë mjeko-ligjore për plagën e tij dhe se u detyrua ta realizonte atë në Belgjikë, ku jeton prej 15 vitesh. Sipas tij, në dosjen penale të 21 janarit mungon ende ekspertiza mjeko-ligjore e plagosjes së tij, fakt që e cilësoi si provë të pengimit të drejtësisë.
Duke folur për jetën pas 21 janarit, gazetari tha se ngjarja i ndryshoi rrënjësisht jetën dhe e detyroi të largohej nga Shqipëria, por theksoi se mbetet i gatshëm të dëshmojë në çdo moment nëse do të thirret nga drejtësia shqiptare.
Në mesazhin e tij për familjarët e viktimave, Mahmutaj kërkoi ndaljen e asaj që e quajti “hipokrizi politike dhe institucionale”, duke theksuar se çdo 21 janar plagët rihapen pa u shoqëruar me drejtësi reale.
“Të gjithë e dinë kush qëlloi dhe kush nuk qëlloi. Mjaft me teatër politik mbi gjakun e të vrarëve”, përfundoi ai./dritare.net