Ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan/ Veli Myftari: Policia të mos mbledhë kufoma, por të parandalojë vrasjet mafioze!
Dritare.net

Në një intervistë ekskluzive për emisionin 'Dekalog', Veli Myftari, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, ka zbërthyer një sërë temash të nxehta që prekin aktualitetin dhe historinë e Shqipërisë.
Myftari e nisi analizën e tij me ngjarjen tronditëse në Elbasan, ku u ekzekutua biznesmeni Edmond Hyka. Si një ish-drejtues i lartë i policisë dhe qytetar i Elbasanit, ai shprehu shqetësimin e thellë për rikthimin e vrasjeve mafioze dhe humbjen e sigurisë publike.
Ai theksoi se ekzekutimi i një biznesmeni është një sinjal alarmi për shtetin, duke kërkuar një polici më proaktive në parandalim sesa në 'mbledhjen e kufomave'.
Myftari bëri një lidhje të drejtpërdrejtë midis pasigurisë së sotme dhe armëve të vitit 1997, duke deklaruar se rreth 150,000 armë janë ende në duart e qytetarëve, një 'bombë me sahat' për rendin publik. Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua qëndrimit të Organizatës së Veteranëve ndaj zhvillimeve gjeopolitike. Myftari refuzoi kategorikisht urimin dhe qasjen e Ambasadës Ruse në Tiranë për festat e çlirimit, duke e cilësuar Rusinë si shtet agresor dhe duke rikonfirmuar rreshtimin e veteranëve krah NATO-s dhe politikës zyrtare shqiptare.
Ai e quajti 'fyes' përdorimin e imazheve të manipuluara nga ambasada ruse, duke treguar një ndarje të qartë midis historisë së LANÇ dhe politikave aktuale të Rusisë. Debati u nxeh kur biseda u zhvendos tek figura e Enver Hoxhës dhe periudha e komunizmit. Myftari, duke mbrojtur me forcë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si vlerën më të madhe të kombit, nuk ngurroi të vlerësonte rolin e Hoxhës si komandant i luftës dhe ndërtues i shtetit pas saj. Përballë pyetjeve ngacmuese të Xafokut mbi krimet e komunizmit dhe diktaturën, Myftari argumentoi se industrializimi, arsimimi masiv dhe veprat hidrike janë arritje që nuk mund të mohohen, ndërsa minimizoi përmasat e persekutimit politik, duke i quajtur shpesh 'gabime të kohës' apo 'individuale'.
Në rrafshin e sigurisë, Myftari bëri një krahasim midis policisë së kohës së tij dhe asaj të sotme.
Ai vlerësoi lart ish-ministrin Spartak Poçi dhe kritikoi ashpër përfshirjen e oficerëve të sotëm të policisë në krim të organizuar, duke iu referuar deklaratave të SPAK. Mesazhi i tij për drejtuesin e ri të BKH-së, Joni Keta, ishte i drejtpërdrejtë: 'Bëhu i ndershëm dhe mos u lidh pas qerres së asnjë politikani'./dritare.net