
Arta Dade ish-ministrja e Kulturës e ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare Tv foli për ardhjen në pushtet të kryeministrit Edi Rama. Dade shprehet se u shkarkua nga posti i ministrses së Kulturës, në atë kohë nga Fatos Nano që pozicioni t'i kalonte Edi Ramës.
“Unë kundërshtova kryeministrin për shkarkimin e drejtorit të Piramidës dhe nëse do të zbatohej projekti që unë kisha si ministre e Kulturës, Piramida do të vazhdonte të ishte një qendër kombëtare kulture. Në atë kohë, Fatos Nano shprehu keqardhje për situatën, duke pasur në krah një grup të rinjsh që në opinionin publik dukeshin më modernë se socialistët që ishin në parti. Ai përfitoi nga momenti kur Rama u kthye nga Parisi për varrimin e të atit, Kristaq Rama, dhe unë, si ministre e Kulturës, organizova homazhet në Galerinë e Arteve, një vend ku Kristaqi e meritonte të nderohej. Ndërkohë, ishte krijuar një konflikt për shkak të mospranimit tim për të hequr nga detyra drejtorin e Piramidës, Kastriot Myftiun, një djalë jashtëzakonisht i organizuar me të cilin kishim realizuar projekte dhe kishim ftuar ambasadat e huaja të kishin qendrën e kulturës në Piramidë.
Fatos Nano kërkoi që presidenti të firmoste shkarkimin, por presidenti nuk pranoi, duke mos gjetur arsye të mjaftueshme. Kjo situatë e ngrirë po pengonte funksionimin e qeverisë për shkak të qëndrimit tim si ministre e Kulturës. Pas një jave, vendosa të jap një deklaratë publike për dorëheqjen time dhe lajmi u botua në Gazeta Shqiptare atë kohë. Ndonjëherë, më duket sikur ky lajm është ende aktual, për shkak të problematikave që vazhdojnë sot.”, u shpreh ish-deputetja Arta Dade për Dritare Tv\K.K dritare.net