Na ndiqni edhe në

Emisionet

Berisha, fajtor i madh! Flet Fitim Zekthi!

Berisha, fajtor i madh! Flet Fitim Zekthi!

Në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, analisti, gazetari dhe ish-anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Fitim Zekthi, ka shprehur me tone të forta keqardhjen dhe zhgënjimin e thellë për situatën aktuale të PD-së, duke deklaruar se kjo parti, që dikur simbolizonte vlerat e së djathtës, sot ka humbur orientimin dhe vetveten.

“Keqardhja është gati e pashpjegueshme, shumë e madhe, shumë e thellë,” u shpreh Zekthi. “Unë e kam patur këtë lloj ndjenje kaq të keqe sa kam tani edhe në vitet 1997-2005. Po e përjetoj shumë keq që Partia Demokratike, e cila në imazhin tim në këto 35 vite ka qenë bartëse e vlerave të djathta, është në opozitë.”

Duke reflektuar mbi rrjedhën e partisë, Zekthi vëren se PD-ja nuk është më ajo që ishte. “Unë tani jam 50 vjeç, nuk jam më i ri dhe i shoh gjërat më me qetësi dhe më ftohtësi dhe filloj të kuptoj që Partia Demokratike në fakt nuk është një parti e djathtë. Po të ishte partia e djathtë, ajo do të kishte fituar zgjedhjet.”

Zekthi pranoi se për vite me radhë nuk ka qenë kritik publik i PD-së, për shkak të angazhimit të tij në strukturat e saj. “Nuk kam qenë kritik i Partisë Demokratike zyrtarisht deri nga viti 2021, sepse kam qenë pjesë e strukturës. Kam qenë anëtar i këshillit kombëtar dhe anëtar i kryesisë së PD-së. Jam përpjekur të mos dal publikisht kundër qëndrimeve zyrtare.”

Por sipas tij, pas vitit 2021, Partia Demokratike ka humbur busullën politike dhe “ka prishur dialektikën”. Ai e shpjegon këtë me një analizë filozofike dhe politike: “Nuk është problemi pse gjërat janë keq. Janë në kuptimin dialektik. Kush është fajtori? Mendoj që fajtori kryesor është Sali Berisha. Lulzim Basha ka gabime dramatike, por nuk prishi dialektikën. Nëse një subjekt politik punon kundër vetes, nuk jemi më në një konflikt të natyrshëm opozitë-qeveri, por në vetëshkatërrim. Sali Berisha sulmoi partinë, institucionet e saj, kryesinë, këshillin kombëtar, i quajti pengje, të kapur, të shitur. Ndërkohë që për tetë vite me radhë nuk kishte bërë këtë.”

Ai kritikon ashpër mënyrën se si Berisha e nisi atë që ai e cilëson si “luftë brenda partisë”: “Luftën e nisi me mjete politike që nuk kanë të bëjnë me të djathtën. E gjithë ajo lëvizje ka qenë komplet jokonservatore. U mblodhën njerëzit në një stadium, u thanë që këta janë kuvendi dhe po rrëzojmë partinë. Nuk funksionon kështu. Nuk është partia mbledhje njerëzish në stadium.”

Sipas tij, mënyrat e përdorura nuk përfaqësojnë aspak vlerat konservatore që PD-ja duhet të mishërojë: “Nuk është konservatorizmi dhe e djathta sharja, shpifja, shantazhi, britma, gjuha hiperbolike, gjuha anihiluese. Përkundrazi, është e përunjura, e matura, e kujdesura. E djathta është Abraham Lincolni, është James Madison.”

Në përfundim, Fitim Zekthi e përmbledh qëndrimin e tij me një pohim të fortë: “Këtu u prish dialektika. Partia punoi kundër vetes. Berisha është fajtor i madh. Nuk duhej ta bënte atë që bëri.”/K.C/dritare.net