Balluku, SPAK dhe protesta e PD! Qiraxhi: Çfarë po ndodh në politikë ditët e fundit!
Dritare.net

Politika shqiptare ditë e fundit po rrotullohet rreth dy çështjeve: vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe protesta kombëtare e opozitës.
Aktivisti i shoqërisë civile Migen Qiraxhi ishte i ftuar në emisionin “Dekalog” në DritareTV, në një intervistë me gazetarin Roland Qafoku, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit politike në vend, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, raporti i politikës me SPAK dhe protesta e opozitës.
Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qiraxhi tha se, edhe pse u perceptua si një “mosvendim” për shkak të rezultatit 4 me 4, në aspektin ligjor ai lë në fuqi vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut dhe i hap rrugë vijimit të veprimeve nga SPAK.
Sipas tij, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe çdo moszbatim do të përbënte një problem serioz institucional.
Gjatë analizës së votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Qiraxhi u shpreh se vendimmarrjet që mbështetën vijimin e hetimeve nga drejtësia janë në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për luftën kundër korrupsionit, ndërsa votat kundër i cilësoi si një dobësim të këtij procesi nga perspektiva e opinionit publik.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe rolit të SPAK-ut. Qiraxhi theksoi se ky institucion ka ndikuar dukshëm në jetën politike dhe institucionale të vendit, duke shtuar se shembulli i disa prokurorëve që bëjnë detyrën e tyre tregon se ndryshimi mund të vijë edhe nga institucione relativisht të vogla në numër.
Ai komentoi edhe deklaratat politike kundër SPAK, duke thënë se narrativa se drejtësia kontrollohet nga politika ka rënë, pasi për herë të parë hetimet kanë prekur figura të rëndësishme të pushtetit.
Në lidhje me protestën e opozitës, Qiraxhi deklaroi se nuk do të marrë pjesë, duke argumentuar se opozita duhet fillimisht të sqarojë qëndrimin e saj ndaj drejtësisë dhe të ndërtojë një alternativë të qartë politike, përtej retorikës kundër qeverisë.
Sipas tij, protestat janë të nevojshme në një demokraci, por ato duhet të shoqërohen me një vizion dhe program konkret, në mënyrë që të prodhojnë rezultat politik.
U diskutua edhe situata brenda Partisë Demokratike dhe perspektiva e saj si alternativë qeverisëse. Qiraxhi theksoi se opozita ka nevojë për më shumë demokraci të brendshme dhe një ofertë më të qartë për qytetarët.
Në pjesën e fundit të bisedës, u prek edhe skandali ndërkombëtar Epstein dhe fenomenet e abuzimit me pushtetin. Qiraxhi u shpreh se shoqëritë duhet të flasin më hapur për këto probleme dhe të forcojnë mekanizmat e drejtësisë dhe transparencës.
A ka Shqipëria individë me pushtet, para dhe pa vlera që abuzojnë?
Migen Qiraxhi: Fatkeqësisht, po. Të jesh grua apo vajzë që do të bësh karrierë në realitetin shqiptar, shpesh është sfidë e rëndë. Dhe kjo duhet folur më shumë, sepse zakonisht mbetet e fshehtë./E.P-dritare.net