Na ndiqni edhe në

Emisionet

Azgan Haklaj: Krimet e luftës në Kosovë janë plagë që nuk shërohen, drejtësia ende mungon

Azgan Haklaj: Krimet e luftës në Kosovë janë plagë

Një protestë kombëtare pritet të mbahet të premten në sheshin “Skënderbej”, në mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe për kujtesën e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Përtej retorikës politike dhe betejave ligjore, krimet e luftës në Kosovë mbeten plagë të hapura në ndërgjegjen kombëtare. Ato nuk janë vetëm statistika, por histori njerëzore të dhimbshme që ende kërkojnë drejtësi.

I ftuar në emisionin “Dekalog”, Azgan Haklaj foli për pasojat e agresionit serb ndaj popullsisë civile shqiptare, duke theksuar se Beogradi ka kryer mbi qindra masakra gjatë luftës.

“Mijëra familje shqiptare ende nuk dinë fatin e më të dashurve të tyre. Rreth 1,600 persona mbeten të zhdukur edhe sot. Krimet e Serbisë janë të rënda dhe të dokumentuara, por drejtësia ndërkombëtare ende s’e ka thënë fjalën e plotë,” – u shpreh Haklaj.

Në këtë frymë, Haklaj njoftoi për një protestë të madhe mbarëkombëtare që do të mbahet të premten në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat e luftës.

“Ky është tubimi i parë i këtyre përmasave në Tiranë. Të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, bindjeje politike apo vendbanimi, duhet të bashkohen në këtë ditë. Kjo është një besëlidhje e dytë e shqiptarëve,” – deklaroi Haklaj.

Ai bëri thirrje për bashkim kombëtar, duke theksuar se çështjet madhore kombëtare nuk duhet të ndahen nga interesat partiake.

“Sheshi ‘Skënderbej’ duhet të shërbejë si arena e bashkimit, jo e përçarjes. Kjo nuk është një protestë politike, por një akt moral dhe kombëtar për drejtësi,” – shtoi ai.