Avokati Beqiri: Pse pezullimi i Belinda Ballukut është antikushtetues!
Dritare.net

Në një analizë të detajuar juridike për rastin e Belinda Ballukut, avokati Idajet Beqiri shpjegoi në Dritare TV se akuzat ndaj zv.kryeministres nuk kanë të bëjnë me vjedhje fondesh apo korrupsion në kuptimin klasik, por me veprën penale të 'ndikimit të paligjshëm'.
Sipas tij, kjo vepër, ndonëse e dënueshme, ka një peshë specifike ligjore shumë më të lehtë sesa akuzat për korrupsion pasiv që rëndojnë mbi zyrtarë të tjerë të lartë, si rasti i ish-kryeministrit Berisha. Ai theksoi se dënimi maksimal për këtë vepër shkon deri në tre vite, dhe shpesh konvertohet në dënime alternative si shërbim prove, duke mos çuar domosdoshmërisht në burgim efektiv.
Pika më e fortë e argumentimit të Beqirit lidhej me kushtetutshmërinë e masës së sigurisë 'pezullim nga detyra'. Duke iu referuar Nenit 103 të Kushtetutës së Shqipërisë, avokati shpjegoi se ministrat gëzojnë imunitet të barabartë me deputetët. Sipas tij, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale (Neni 62) ndalojnë shprehimisht pezullimin nga detyra të funksionarëve të zgjedhur si deputetët apo kryetarët e bashkive para se të ketë një vendim të formës së prerë. Beqiri argumenton se ky mbrojtje kushtetuese është vendosur për të ruajtur stabilitetin e qeverisjes dhe për të parandaluar ndërhyrjet arbitrare të gjyqësorit në pushtetin ekzekutiv.
Avokati paralajmëroi për rrezikun e krijimit të një precedenti të rrezikshëm.
'Nëse gjykata merr tagrin të pezullojë ministra apo kryeministrin bazuar vetëm në dyshime të prokurorisë dhe pa vendim final, atëherë bie institucioni i qeverisjes së dalë nga vota e popullit', u shpreh ai. Sipas Beqirit, në një skenar të tillë, gjyqësori do të merrte fuqi mbi-kushtetuese duke diktuar përbërjen e qeverisë, gjë që cënon rëndë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Ai theksoi se Balluku, apo çdo zyrtar tjetër, duhet të largohet nga detyra vetëm në momentin që gjykata shpall një vendim fajësie të formës së prerë. Deri atëherë, prezumimi i pafajësisë dhe mandati i dhënë nga sovran (ose i deleguar nga parlamenti) duhet të mbizotërojnë. Beqiri e mbylli këtë segment duke parashikuar se ky vendim do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese si i pabazuar në ligjin themeltar të shtetit./dritare.net
