Alesia Balliu: Një dasmë mbledh më shumë njerëz sesa Berisha në mitingun e PD-së
Dritare.net

Në një intervistë të detajuar dhe pa doreza në emisionin Dekalog me gazetarin Roland Qafoku, juristja dhe aktivistja e njohur Alesia Balliu ka bërë një skaner të plotë të situatës politike në Shqipëri, duke u fokusuar veçanërisht te kriza e thellë që ka mbërthyer Partinë Demokratike dhe rolin e SPAK-ut si 'opozita e vërtetë' përballë qeverisë Rama.
Balliu, dikur një mbështetëse entuziaste e 'Foltores', shprehu zhgënjimin e saj të thellë ndaj lidershipit aktual të PD-së. Ajo theksoi se numrat në protestat e fundit janë treguesi më i qartë i humbjes së frymëzimit. 'Me rrogëtarët e Berishës dhe me fis e farefis, nuk bëhet ndryshimi. Një dasmë mbledh më shumë njerëz sesa mitingu i PD-së sot,' deklaroi ajo me ironi, duke nënvizuar se populli opozitar është aty, por refuzon të dalë në shesh për një kauzë që perceptohet si personale e Sali Berishës.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u përqendrua te figura e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Për Balliun, të dy janë përgjegjës për situatën ku ndodhet e djathta. Ajo e akuzoi Berishën se nuk mbajti premtimet e Foltores për hapje dhe bashkim, por krijoi një strukturë që i shërben vetëm mbrojtjes së tij nga drejtësia.
Nga ana tjetër, ajo nuk kurseu kritikat as për Lulzim Bashën, duke e cilësuar si një figurë që humbi mundësinë historike për t'u bërë lider duke mos 'vrarë babanë politik' në kohën e duhur. Duke analizuar zhvillimet e brendshme në PD, Balliu komentoi edhe figurat e tjera si Ervin Salianji, Belind Këlliçi dhe Gazment Bardhi. Ajo mbrojti integritetin e Këlliçit në protestat kundër bashkisë, ndërsa për Bardhin theksoi se beteja e tij në qarkun e Elbasanit tregonte nuanca të një zone të majtë, por pa e sulmuar atë personalisht, duke e drejtuar gishtin sërish te 'autori' i situatës, që sipas saj mbetet Berisha./K.C/dritare.net