
A ka ujë në Sazan? Çfarë thonë ish-banorët e ishullit!
Dritare.net
Tasim Meçe, ish-komandant i Ishullit të Sazanit, Ndue Bardhi ish-shefi i Shëndetësisë së Ishullit dhe Mustafa Beu ish-shefi i Shtabit të Ishullit në një emision të jashtëzakonshëm në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV treguan disa fakte të panjohura më parë për ishullin tonë. Ish-gjeneralët dhe dikur banorët e Sazanit tregojnë disa të vërteta të ishullit që ne nuk i dinim më parë. Ashtu siç është edhe pyetja nëse kishte apo jo ujë në Sazan.
Ja çfarë thonë ata në DritareTV!
Mustafa Beu: Musolini ndërtoi sistemin e ujit në formë hinke. Ndërtesat në ishull janë dy kat mbi dhe’ dhe 2 kate nën dhe’. Komanda kryesore e ishullit është dy kate nën dhe’. Gjithë uji që mblidhej, mbusheshin depozitat mbi tokë dhe ushqenin ato nën tokë. Ky është sistemi i mbledhjes së ujit në formë hinke.
Ndue Bardhi: Në Sazan nuk ka pasur ujë. Unë sa kam shkuar në Sazan jam interesuar për ujin. Uji i pijshëm dy-tre herë në javë merrej nga cisterna e një anijeje ruse që furnizohej me ujin e ftohtë, e grumbullonte në një depozitë 200-400 tonesh në afërsi të bazës dhe me sistemin e tubave e çonte në qendër të ishullit, te kulla hidraulike dhe shpërndahej në spital, çerdhe, kopsht, shkolla, komandë. Kur shkova unë uji ishte jashtë ndërtesave, për dy tre vjet u fut brenda ndërtesave. Ndërsa repartet ushtarake furnizoheshin me autobote. Pra uji i pijshëm është marrë gjithmonë nga Vlora.
Mustafa Beu: Është gjetur një dokument italian që thotë se në ishull nuk ka ujë. Por faktikisht aty ka 5 puse. Këto puse siguronin ujë gjatë dimrit. Ata thahen në qershor-korrik-gusht, pastaj mbushen prapë. Por sot nuk ka garanci.
Tasim Meçe: Projekti për të sjellë ujin në Sazan nga Uji i Ftohtë ushte bërë. Por nuk e pranoi Mehmet Shehu që të zbatohej sepse nëse do bëhej tubacioni i ujit, thoshte ai, ka mundësi që armiku të godiste tubacionet dhe pastaj mungesa e ujit do bënte që njerëzit në Sazan të dorëzoheshin. Ne nuk e kundërshtuam dot./K.C/dritare.net

















