45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së? Ambasadori Skënder Durmishi: Po shtrembërohet historia!
Dritare.net

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, i ftuar në emisionin “Dekalog” në DritareTv, foli për reagimet në Kosovë pas kërkesës së prokurorëve të Hagës për dënimin me nga 45 vite burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Durmishi tha se reagimet kanë qenë të forta dhe se në Kosovë ekziston pritshmëria që gjykata të mos ndjekë të njëjtën linjë me pretencën e prokurorisë.
“Reagimet ishin dhe janë të forta, sepse dënimet që u paraqitën u propozuan nga pretenca. Të gjithë në Kosovë, qeveria, institucionet dhe qytetarët, kanë një farë shprese se gjykata do të ketë një fjalë që të jetë e dallueshme prej kësaj nga 45 vjet”, u shpreh ai.
Ambasadori theksoi se në Kosovë mbizotëron krenaria për luftën e UÇK-së dhe mënyrën si ajo është zhvilluar.
“Ne jemi krenarë jo vetëm për luftën që ka bërë UÇK-ja, por për mënyrën se si e ka bërë luftën; për një luftë që ishte mbrojtje e dinjitetit, por ishte dhe luftë e paqtë. Gjykata do të duhej të ndiqte këtë kurs, duke përmbajtur standardeve ndërkombëtare të drejtësisë”, deklaroi Durmishi.
Ai solli në vëmendje edhe qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.
“Vetë kryeministri i Kosovës në prononcimin e tij tha se nuk duhet të barazohet viktima me xhelatin dhe çdo përpjekje për të anashkaluar këtë relacion do të ishte shtrembim i historisë”, citoi ambasadori.
Sipas Durmishit, kërkesa për 45 vite burg për secilin nga ish-drejtuesit e UÇK-së ka prekur ndjeshmërinë publike në Kosovë, por mbetet pritja që vendimi përfundimtar i gjykatës të reflektojë standardet e drejtësisë ndërkombëtare dhe kontekstin e luftës./K.C/dritare.net