Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ekskluzive/ Ambasada Shqiptare në Kinë: Pekini është zbrazur, ja këshillat për shqiptarët!

Ekskluzive/ Ambasada Shqiptare në Kinë: Pekini është
Nga Isa Myzyraj 

Koronavirusi i ciki ka shpërthyer në Kinë, dhe po frikëson botën ka vrarë deri më tani 41 persona, ndërsa ka infektuar qindra të tjerë.

Disa qytete në Kinë janë në izolim total,  ndërsa virusi misterioz ka mbërritur tanimë edhe në SHBA, ku janë raportuar deri më tani zyrtarisht dy raste.

Në një intervistë ekskluzive për Dritare.net Këshilltari i Ambasadës Shqiptare në Kinë, Andi Xhoi ka dhënë detaje në lidhje më këtë virus, por edhe situatën e shtetasve shqiptarë në Kinë, dhe si duhet të veprojnë nëse kanë në plan të vizitojnë këtë vend në ditët në vijim.

Xhoi ka thënë për dritare.net se situata në Kinë është në kushtet e emergjencës ndërsa shton se:

"Krahas Wuhanit, epiqendra e shpërthimit të virusit, janë edhe disa qytete të cilët po i nënshtrohen masave tejet të rrepta deri në izolim. Në Wuhan sot është ndaluar edhe përdorimi i mjeteve private të transportit. Pekini ka shpallur gjendjen e emergjencës së nivelit të parë."

Më tej këshilltari i Ambasadës, shprehet se asnjëherë më parë nuk e kanë parë Pekinin e boshatisur, si në këto ditë të rënda që po kalon vendi.

“Atmosfera në Pekin shfaqet disi e zymtë, ku një qytet që gumëzhin, nuk jemi mësuar ta shohim me rrugë ë zbrazëta si nga automjetet ashtu dhe këmbësorët, këta të fundit të gjithë mbajnë maska mbrojtëse.”-shprehet Andi Xhoi.

Por sipas Xhoit, situata pritet që bëhet edhe më alarmante pasi Pekini sipas tij sapo ka njoftuar ndaljen e transportit publik për në qytetet e tjera.

“Fakti që rreth 20 qytete kanë shpallur nivelin e parë të emergjencës është një indikator që situata mund të përkeqësohet në ditët në vijim.

Në këtë moment sapo doli një njoftim që Pekini do të ndalojë transportin rrugor publik drejt tij nga provinca të tjera duke filluar nga dita e diele.”-shprehet ai.

Nga ana tjetër zyrtari i ambasadës shqiptare, shprehet se stafi shqiptar i ambasadës që gjendet në Pekin ka kufizuar në maksimum lëvizjet jashtë rezidencës.

“Stafi i ambasadës ka kufizuar në maksimum lëvizjet jashtë ambasadës. Apartamentet dhe zyrat ndodhen në të njëjtën godinë dhe kemi ambiente të mjaftueshme brenda rrethimit të ambasadës. Këto ditë janë edhe ditë pushimi zyrtare në Kine me rastin e Vitit të Ri Kinez. Të gjithë jemi të pajisur me maska dhe po ndjekim udhëzimet përkatëse për të tilla raste.”-shprehet më tej Xhoi për Dritare.net

Sa i përket shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Republikën Popullore të Kinës, Xhoi shprehet:

“ Kemi kontakte të vazhdueshme me ta.  Deri në këtë moment nuk kemi  informacion për shqiptarë të prekur nga virusi. Siç e përmenda më sipër kjo është periudhë pushimesh dhe shumë nga ta kanë lëvizur për në Shqipëri apo vende tjera.”

Por, zyrtari i ambasadës sonë atje këshillon shqiptarët që kanë një biletë për të udhëtuar në Kinë në ditët në vijim, që të anulojnë atë për kushte sigurie.

“Kina , brenda mundësive të gjithsecilit, padyshim është një vend për t'u vizituar nga shqiptarët, por nuk është ky momenti i përshtatshëm.  Pra nuk këshillohet në këtë periudhe.”-thotë ai.

Sa i përket shtetasve kinezë që udhëtojnë drejt vendit tonë, ai deklaron se të gjithë shtetasit që dalin nga Kina, i nënshtrohen kontrollove në aeroporte atje.

“Me gjithë masat e mara, rreziku mbetet evident, megjithëse shtetasit që udhëtojnë nga Kina i nënshtrohen kontrolleve të parapara për këto raste në të gjitha aeroportet e Kinës.

U takon specialisteve të thonë fjalën e tyre, për rrezikun që i kanoset Shqipërisë”-përfundon Andi Xhoi, këshilltar pranë Ambasadës Shqiptare në Kinë./ Dritare.net