
Volodymyr Zelensky ka dërguar një mesazh të fortë sfide ndaj Rusisë, duke deklaruar se Ukraina do ta përfundojë luftën me fitore dhe nuk do të pranojë lëshime territoriale për një armëpushim të përkohshëm.
Në një intervistë të zhvilluar në selinë e qeverisë në Kiev nga BBC Zelensky theksoi se çdo dorëzim territori do të ishte “braktisje” e qindra mijëra qytetarëve ukrainas dhe do të rrezikonte përçarjen e shoqërisë. Ai hodhi poshtë kërkesën e Rusisë për dorëzimin e rreth 20% të rajonit lindor të Donetskut, si dhe pjesë të rajoneve jugore të Khersonit dhe Zaporizhzhisë, duke e cilësuar një çmim të papranueshëm për paqe.
Presidenti ukrainas akuzoi drejtpërdrejt Vladimir Putin se ka nisur tashmë Luftën e Tretë Botërore, duke paralajmëruar se ambiciet e Kremlinit shkojnë përtej Ukrainës. Sipas tij, mënyra e vetme për ta ndalur Rusinë është përmes presionit intensiv ushtarak dhe ekonomik nga komuniteti ndërkombëtar.
“Putini mund të kënaqet përkohësisht me një pauzë, por ai do të rikuperohet dhe do të vazhdojë. Nuk e dimë se ku do të shkojë më pas, por është fakt se ai dëshiron të vazhdojë,” tha Zelensky.
I pyetur për pretendimet se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën pa bërë lëshime, Zelensky u shpreh i bindur se vendi i tij nuk do të humbasë. “Ne po luftojmë për pavarësinë tonë. Sigurisht që nuk do të humbasim,” theksoi ai.
Sipas tij, fitorja do të thotë jo vetëm ndalimin e vrasjeve dhe rikthimin e jetës normale, por edhe parandalimin e zgjerimit të agresionit rus në vende të tjera. Ai përsëriti objektivin për rikthimin e kufijve të vitit 1991, duke e quajtur këtë jo vetëm fitore, por edhe drejtësi.
Zelensky komentoi gjithashtu marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht me presidentin amerikan Donald Trump. Ai theksoi nevojën për garanci afatgjata sigurie të miratuara nga Kongresi amerikan, duke nënvizuar se “presidentët ndryshojnë, por institucionet mbeten”.
Sa i përket kërkesës për zgjedhje të përgjithshme në Ukrainë, Zelensky tha se ato janë teknikisht të mundshme, por vetëm pasi të sigurohen garanci të forta sigurie dhe të krijohen kushte që do t’i bënin zgjedhjet legjitime dhe të pranueshme për popullin ukrainas, veçanërisht në kushtet kur miliona qytetarë janë refugjatë dhe pjesë të territorit mbeten të pushtuara.
Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu nevojën urgjente për forcimin e mbrojtjes ajrore, duke kërkuar leje për prodhimin me licencë të sistemeve amerikane si Patriot. Ai pranoi se deri tani përpjekjet për të siguruar këto licenca nuk kanë pasur sukses.
Në përfundim të intervistës, Zelensky u shpreh se lufta nuk ka një rrugë të vetme zgjidhjeje. “Po luani shah me shumë liderë, jo vetëm me Rusinë. Ka shumë drejtime paralele. Një prej tyre do të sjellë sukses. Për ne, suksesi është të ndalojmë Putinin,” deklaroi ai.
Mesazhi i tij mbetet i qartë: Ukraina nuk do të heqë dorë nga territori i saj dhe synon ta mbyllë luftën me fitore, jo me kompromis./E.P-dritare.net