
Trump flet për rrëzim të regjimit në Iran. Lexo zhvillimet e fundit!
Dritare.net
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se mund të mirëpriste një ndryshim regjimi në Iran, pas sulmeve ajrore amerikane kundër objektivave ushtarake iraniane gjatë fundjavës.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi:
"Nuk është politikisht korrekte të përdoret termi 'Ndryshim Regjimi', por nëse regjimi aktual iranian nuk është në gjendje ta BËJË IRANIN PËRSËRI TË MADH, pse të mos ketë një ndryshim regjimi???”
Komentet e tij vijnë në një kohë kur zyrtarë të lartë amerikanë po përpiqen të qetësojnë tensionet dhe theksojnë se qëllimi nuk është lufta me Iranin. Zëvendëspresidenti JD Vance tha:
"Ne nuk jemi në luftë me Iranin, jemi në luftë me programin e tij bërthamor."
Ndërsa sekretari i shtetit Marco Rubio shtoi se SHBA-të nuk po kërkojnë luftë me Iranin.
Trump gjithashtu pretendoi se sulmet amerikane shkatërruan centralet bërthamore iraniane, edhe pse zyrtarë të tjerë amerikanë nuk e kanë konfirmuar këtë. Ai shkroi:
"Dëme monumentale u shkaktuan në të gjitha centralet bërthamore në Iran, siç tregohet nga imazhet satelitore. 'Zhdukja' është një term i saktë!"
Khamenei reagon: “Izraeli ka bërë një gabim të madh”
Një llogari në rrjetin X e lidhur me liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi për herë të parë pas përfshirjes së SHBA-ve në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit:
"Armiku sionist ka bërë një gabim të rëndë dhe duhet të ndëshkohet. Ai po ndëshkohet tani."
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ndodhet në Moskë për bisedime me Presidentin Vladimir Putin, ndërsa paralajmëroi se Irani do shqyrtojë të gjitha opsionet e hakmarrjes dhe nuk do të ketë kthim në diplomaci derisa të ndëshkohen autorët e sulmeve.
Në një zhvillim tjetër të rëndësishëm, Parlamenti i Iranit ka miratuar një plan për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës. Vendimi përfundimtar do merret nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Reagimet ndërkombëtare
Australia ka mbështetur hapur sulmet amerikane, ndërsa Japonia, e varur nga nafta e Lindjes së Mesme, bëri thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, tha se qëllimi është të ndalohet Irani të bëhet fuqi bërthamore, ndërsa kryeministri japonez, Shigeru Ishiba, deklaroi se Japonia po e ndjek situatën me shqetësim të madh./E.P-dritare.net

















