

Shefi i Çështjeve Humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, i ka bërë thirrje Izraelit të hapë më shumë pika kalimi në Gaza, për të lejuar rritjen e ndihmave humanitare siç ishte parashikuar në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit.
Izraeli paralajmëroi më herët këtë javë se do të kufizojë furnizimet në territor, pasi Hamasi nuk dorëzoi trupat e 28 pengjeve të vdekur brenda afatit të së hënës.
“Mbrojtja e ndihmës për civilët nuk mund të përdoret si mjet negociues,” shkroi Fletcher në platformën X, duke theksuar se Izraeli, sipas marrëveshjes, duhet të lejojë rritjen masive të ndihmave humanitare.”
Ai u bëri thirrje gjithashtu Hamasit dhe grupeve të tjera në Gaza të bëjnë “përpjekje të fuqishme” për të kthyer trupat e pengjeve izraelite të vdekur.
Ndërkohë, pika kufitare e Rafahut midis Egjiptit dhe Gazës mbeti e mbyllur të mërkurën, ndërsa brenda Gazës banorët kanë filluar të grumbullojnë ushqime për shkak të frikës se armëpushimi mund të dështojë. Çmimet janë rritur ndjeshëm, dhe pasiguria është shtuar.
Hamasi ka deklaruar se nuk mund të gjejë trupat e tjerë të pengjeve izraelite, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e armëpushimit, pasi Izraeli kërkon rikthimin e tyre.
Megjithatë, zyrtarë të lartë amerikanë, në një telefonatë me gazetarët mbrëmë, minimizuan rrezikun e prishjes së marrëveshjes. Ata thanë se ekziston “një mirëkuptim” për lirimin e të gjithë pengjeve të gjallë – angazhim që Hamasi, sipas tyre, e ka respektuar.
“Ka një mekanizëm në funksion, dhe po punojmë me ndërmjetësit për të rikthyer sa më shumë trupa që të jetë e mundur,” sqaruan këshilltarët amerikanë, duke shtuar se “vazhdojmë të marrim garanci nga Hamasi se do të respektojë marrëveshjen./E.P-dritare.net

















