
Si vdiq mbretëresha Elizabeth! Libri biografik zbulon detajet nga orët e fundit të madhërisë
Dritare.net
Detaje të reja po shfaqen për orët e fundit të Mbretëreshës Elizabeth para vdekjes së Madhërisë së Saj në shtator 2022.
Sipas librit të ri të biografit mbretëror Robert Hardman, “New King. New Court. Charles III. The Inside Story” kishte pak ose aspak indikacione se mbretëresha do të vdiste më 8 shtator 2022. Një anëtar i stafit mbretëror i tha biografit se "në atë fazë, njerëzit ende mendonin për ditë dhe jo për orë, e lëre më një orë ose dy."
Në libër, të shkëputur nga The Daily Mail, ata në Balmoral po përgatiteshin për të pashmangshmen, por askush nuk e imagjinonte se vdekja e mbretëreshës do të vinte pikërisht atë ditë. Sipas librit, Princi Charles (tani Mbreti Charles) ishte jashtë "duke mbledhur kërpudhat dhe mendimet e tij, ndërsa Dukesha kishte shkuar për një shëtitje të shkurtër.” Ata e kishin bërë këtë për ta lënë mbretëreshën të pushonte, ndërsa kapelani i Madhërisë së Saj i lexonte biblën.
Menjëherë pas kësaj, mjeku i mbretëreshës mori një telefonatë urgjente pak pas orës 15:00, për të shkuar pranë mbretëreshës. Në të njëjtën kohë, Charles mori një telefonatë urgjente, duke e shtyrë atë të kthehej në kështjellë.
"Ishte një çështje minutash. Në kohën kur Dr. Glass kishte arritur në dhomën e gjumit të mbretëreshës, ajo dukej se kishte pushuar së marri frymë, edhe pse vetëm një mjek mund ta thoshte me siguri.” shkruan Hardman në librin e tij.
Ndërkohë, sekretari privat i mbretëreshës, Sir Edward Young, priste jashtë dhomës së gjumit të mbretëreshës.
"Më në fund, mjeku doli për të konfirmuar më të keqen.", shkruan Hardman. "Ai ra dakord për një kohë vdekjeje me Sir Edward, i cili regjistroi sekuencën e ngjarjeve në një memorandum të brendshëm për pasardhësit. Memorandumi tani është e depozituar në Arkivin Mbretëror."
Sipas librit, memorandumi thotë: "Dougie [Glass] në 3.25. Shumë e qetë. Në gjumë. U largua. Pleqëri. Vdekja duhet të regjistrohet në Skoci. Pajtohem për orën 15.10. Ajo nuk qe në dijeni për asgjë. Nuk pati dhimbje."/K.C/dritare.net

















