Na ndiqni edhe në

Bota

Shakira akuzohet për herë të dytë për evazion fiskal

Shakira akuzohet për herë të dytë për evazion fiskal

Ylli kolumbian i popit Shakira është akuzuar për evazion fiskal për herë të dytë nga qeveria spanjolle. Prokurorët në Spanjë pretendojnë se këngëtarja mashtroi shtetin me 6.7 milionë euro në 2018-ën.

Ata thonë se kjo ndodhi kur ajo nuk arriti të deklaronte një paradhënie me miliona dollarë për turneun e saj botëror El Dorado, ndër pagesat e tjera.
Prokurorët spanjollë hapën hetimin e dytë në korrik 2023, por publikuan detajet të martën.

Rrjeti spanjoll RTVE thotë se këngëtarja 46-vjeçare është në dijeni të akuzave të reja, por agjencia e lajmeve Reuters raporton se ekipi ligjor i Shakirës në Miami ende nuk është njoftuar për to.

Akuzat e reja varen nga fakti se në vitin 2018, Shakira jetonte në Barcelonë me yllin e futbollit Gerard Pique dhe për këtë arsye iu kërkua të deklaronte të gjitha të ardhurat e saj ndërkombëtare atje. Ata argumentojnë se ajo në vend të bënte këtë i ka devijuar paratë e saj te "kompanitë me banim në vende me taksa të ulëta dhe pa transparencë të lartë".

Shakira përballet me gjyqin për gjashtë krime tatimore në Barcelonë, akuza që ajo i ka mohuar.
Në atë rast, ajo është akuzuar se ka dështuar të paguajë 14.5 milionë euro taksë midis viteve 2012 dhe 2014, por ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo shkelje.

"Kam besim se kam prova të mjaftueshme për të mbështetur çështjen time dhe se drejtësia do të mbizotërojë në favorin tim.", tha ajo në shtator, në një intervistë për edicionin spanjoll të revistës Elle./K.C/dritare.net