Presidenti rus rikonfirmon qasjen e tij për luftën në Ukrainë dhe hedh poshtë çdo mundësi paqeje jashtë kushteve të Kremlinit.
Në një deklaratë të fortë gjatë Forumit Ekonomik të Lindjes në Vladivostok, Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi ashpër Perëndimin që të mos dërgojë trupa në Ukrainë, duke përfshirë edhe forca paqeruajtëse. Ai deklaroi se çdo prani ushtarake perëndimore në fushën e betejës do të konsiderohet si një “objektiv legjitim për shkatërrim”.
“Nëse disa trupa shfaqen atje, sidomos tani që luftimet po vazhdojnë, ne nisemi nga premisa se këto do të jenë objektiva legjitime për shkatërrim,” – u shpreh Putin, ndërsa publiku në sallë shpërtheu në duartrokitje.
Në sallën e forumit ishin të pranishëm zyrtarë të lartë rusë dhe liderë të biznesit, të cilët dukshëm mirëpritën kërcënimin e drejtpërdrejtë të presidentit. Kjo atmosferë e festës në një kontekst të tillë tensioni u duk shqetësuese për shumë vëzhgues ndërkombëtarë.
Nga refuzimi i kompromisit te mbështetja ndërkombëtare
Paralajmërimi i Putinit vjen vetëm një ditë pasi aleatët e Ukrainës, nën ombrellën e “Koalicionit të të Gatshmëve”, premtuan ndërtimin e një forcë sigurie pasluftës për Ukrainën. Nga ana tjetër, Kremlini vazhdon të përforcojë idenë se paqja është e mundur vetëm sipas kushteve ruse.
Putin shtoi gjithashtu se do të ishte i gatshëm të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, por vetëm në Moskë një propozim që u prit me tallje dhe kritikë jashtë Rusisë.
“Vendi më i mirë për këtë është kryeqyteti rus, në Hero City Moscow,” – tha Putin.
Kjo deklaratë konsiderohet si pjesë e një strategjie më të gjerë të Kremlinit për të imponuar një rend të ri global ku Rusia del fitimtare jo vetëm në Ukrainë, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Vetëbesim i rritur në Kremlin me ndihmën e Kinës, Indisë dhe një Perëndimi të përçarë
Sipas analistëve, vetëbesimi i Kremlinit mbështetet në tre shtylla kryesore:
Avantazhi ushtarak në terren Rusia beson se aktualisht ka iniciativën në fushën e betejës në Ukrainë.
Mbështetja ndërkombëtare Putin u prit ngrohtësisht në Kinë këtë javë, ku u fotografua përkrah liderëve nga vende si Kina, India dhe Koreja e Veriut.
Qasja e dobët amerikane
Donald Trump, e ka ftuar Putinin në një takim të nivelit të lartë në Alaska, duke lënë përshtypjen se izolimi i Rusisë ka dështuar. Edhe pse Trump ka kërcënuar më parë me sanksione, ai nuk ka zbatuar masat e paralajmëruara, gjë që ka forcuar ndjeshëm qëndrimin e Rusisë.
Putin, megjithëse ka vlerësuar përpjekjet e Trumpit për paqe, ka refuzuar çdo kompromis real në lidhje me konfliktin në Ukrainë.
Drita në fund të tunelit por për kë?
Në komentet e fundit, Putin tha se “sheh dritë në fund të tunelit” një deklaratë që ngre pikëpyetje të mëdha mbi kuptimin e saj të vërtetë. Për shumë analistë, kjo dritë nuk përfaqëson paqe sipas standardeve perëndimore, por më tepër një fitore ruse në Ukrainë dhe ndryshim të rendit botëror në favor të Kremlinit.
Nga ana tjetër, Ukraina dhe aleatët e saj evropianë janë të fokusuar te përfundimi i luftimeve dhe garantimi i sigurisë së ardhshme për Kievin, për të parandaluar një pushtim tjetër nga Rusia.
Paqe vetëm në kushte ruse?
Për momentin, duket se Rusia dhe Perëndimi ndodhen në “tunele” të ndryshme, me destinacione dhe vizione të kundërta për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurisë ndërkombëtare. Ndërkohë që Moska kërkon një paqe të diktuar nga pozitat e saj të fuqisë, Perëndimi insiston në një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme për Kievin.
Për aq kohë sa këto qëndrime nuk afrohen, perspektiva për paqe mbetet e largët dhe e paqartë./BBC