
Putin: Irani ka të drejtë të përdorë energjinë bërthamore për qëllime paqësore!
Dritare.net
Irani ka të drejtë të zhvillojë një program bërthamor civil dhe të përdorë teknologjinë atomike për qëllime paqësore këtë e deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë për Sky News Arabia.
“Irani ka të drejtë të ndjekë programe teknologjike bërthamore për qëllime paqësore”, u shpreh kreu i shtetit rus. Ai shtoi se Rusia është e gatshme t’i ofrojë Teheranit “ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e energjisë bërthamore paqësore, ashtu siç ka bërë edhe ndër vite”.
Putin theksoi gjithashtu se as Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) nuk ka prova që Irani po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, duke cituar vetë deklaratat e agjencisë, të përsëritura edhe dje.
“Nuk ka asnjë provë që Irani po punon për të ndërtuar armë bërthamore,” deklaroi sërish dje drejtori i përgjithshëm i AIEA-s, Rafael Grossi. “Ne kemi konfirmuar se Irani zotëron, edhe aktualisht, sasi materiali të mjaftueshme për disa koka bërthamore. Por kjo nuk mund të barazohet me një armë bërthamore,” sqaroi ai në një intervistë për Fox News.
“Në mendimin tim, për momentin nuk kemi asnjë provë të prekshme që të tregojë ekzistencën e një programi apo plani për të ndërtuar apo prodhuar një armë bërthamore,” shtoi Grossi. “Megjithatë, nëse diplomacia na e lejon, jemi të gatshëm të kryejmë verifikime të padiskutueshme për këtë çështje.”
Grossi foli gjithashtu për rrezikun e një sulmi të mundshëm ndaj centralit bërthamor të Bushehr-it nga ana e Izraelit (fillimisht i kërcënuar, por më pas i mohuar zyrtarisht).
“Do të ishte një katastrofë bërthamore,” paralajmëroi ai./E.P-dritare.net

















