Na ndiqni edhe në

Bota

Një histori Rock&Roll, ose thjesht Elvis Presley!

Një histori Rock&Roll, ose thjesht Elvis Presley!

Legjenda e rrokut Elvis Presley lindi më 8 janar të vitit 1935 në Tupelo, Missisipi, ShBA. Emri i tij i plotë ishte Elvis Aaron Presley. Fëmijëria e tij ishte e varfër dhe e vështirë. Kur ishte vetem 6 vjeç "po vdiste" të kishte një biçikletë që për fat të keq (por edhe për fat të mirë) ishte shumë e shtrenjtë kështu që nëna Gladys vendosi t'i dhuronte për ditëlindjen e tij një kitarë që e gjeti në një dyqan sendesh të përdorura që kushtonte 12.9 dollarë. Kjo dhuratë bën që tek Elvis të lindte pasioni për telat dhe muzikën, saqë rrinte me orë të tëra duke dëgjuar gospel dhe këngët spirituale që këndoheshin në kishëzën e vogël pranë shtëpisë. Në moshën 13-vjeçare transferohet me familjen në Memphis ku frekuenton zonën me kulturën më të madhe të qytetit. Në verën e vitit 1953, Presli pagoi 4 dollarë për të regjistruar dy këngë të cilat i hapën rrugën drejt suksesit. Formula që i solli fitoren ishte një përzierje e muzikës cauntry, blues dhe rock’n’roll, ndërkohë që thjesht bënte prova në studion e “Sun Records” në vitin 1954, në një version të këngës “That’s all right mama”. Ai skandalizoi audiencën me lëvizjet e trupit, ndërkohë që kritikët televizivë përreth vendit goditën performancën për mungesën e muzikalitetit, vulgaritetin dhe animalizmin. Por, me gjithë kritikat audienca vazhdonte dhe rritej, aq sa kapi shifrën 60 milionë shikues në një mbrëmje. Madje edhe kinemaja nuk kishte si mos ta përfshinte në industrinë e saj. Presli mori pjesë në 33 filma, ku performancat e tij u krahasuan me ato të aktorit të madh të asaj kohe, Xhejms Din. Elvis Presley në kulmin e karierës së tij dukej një mit i paperëndueshëm. Kudo vajza të reja në delir, të gatshme për të ulëritur në mënyrë histerike dhe për të hedhur veshje intime drejt tij. Kronikat e atyre viteve rrëfejnë për vështirësitë e përhershme të policisë për të ruajtur Elvisin nga dëmtimet pas çdo koncerti deri sa të kthehej në Graceland, një ndërtesë koloniale në Memphis e rrethuar nga një park i madh. Nga një kishëzë e vogël në Greislend që u shndërrua në një banesë mbretërore . Arkitektet me disa milionë dollarë e shndërruan atë në një pallat mbretëror të denjë për një mbret, ku edhe sot është nje vend turistik i shkelqyeshem.

Lidhjet me femrat dhe martesa me Prishilën

Që në fillim të karrierës së tij Elvis Presli ishte quajtur një sex symbol që kishte bërë të ëndërronin me mijëra femra. Ai kishte një sërë lidhjesh me femra të njohura të ekranit para dhe pasi u bë i njohur duke përfshirë dhe Mami Van Doren, Natali Ud, Tjusdi Uelld, Sivil Sheperd, Barbra Streizend apo An Margaret. Në 1 Maj të vitit 1967, ai u marua me Prishila An Baulie në Hotelin Aladin në Las Vegas. Prishila ishte vajza e gruas së oficerit komandant të Preslit në Gjermani gjatë shërbimit të tij ushtarak. Në mënyrë të habitshme, Elvisi arriti të bindte nënën e Prishilës dhe njerkun e saj për ta lejuar atë të jetonte me Elvisin ne Greislend, megjithëse ishte akoma e mitur. Vajza e tyre Liza Mari Presli lindi në 1 Shkurt 1968, ndërsa çifti u divorcua në vitin 1973. Liza jetoi me nënën e saj Prishila dhe më vonë u martua me mbretin e pop-it Michael Jackson. Ajo u nda nga jeta shumë e re, në moshën 54 vjecare në 12 janar të vitit 2023.

Suksesi i 1969-ës

Pas 8 vjet mungese në skenë, në 1968 Elvis bëhet protagonist i koncerteve live me spetaklin " Elvis the special Comeback". Ai kthehet i veshur me lëkurë të zezë me të njëjtën karizëm dhe të njëjtën energji që kishin karakterizuar dhe kapur brezat gjatë dhjetëvjeçarit të mëparshëm. Kënga “Mendje e dyshimtë”, u bë hiti numër 1 në “Billboard Music Charts” në nëntor të 1969-ës. Kjo ishte kënga e fundit që kapi majat sa kohë që Elvisi ishte gjallë. Mesi i viteve 70 e kapi ate krejt të izoluar, nën ndikimin e drogave të ndryshme të cilat sollën ndryshime negative në aparencën, shëndetin dhe karrierën e tij artistike. Elvisi dha koncertin e fundit live në Indianapolis, Indiana në 26 korrik të 1977-ës.

Vdekja e mbretit të Rokut

Elvis Presley vdiq në moshën 42 vjeçare në shtëpinë e tij në Greislend në Memfis Tenes (shtëpia më e vizituar në Amerikë pas Shtëpisë së Bardhë), në 16 gusht 1977 ku dhe është varrosur. Fillimisht u varros në varrezat e Forest Hill dhe me vonë u vendos në Greislend pas një përpjekjeje për t’u vjedhur trupi nga fansa të tij. Ekzaminimet e shumta pas vdekjes konstatuan se shkaku i vdekjes ishte një atak zemre, i ardhur si pasojë e përdorimit të tepruar të drogës. Gjatë ekzaminimeve, në trupin e tij u gjetën shenja përdorimi të rreth 10 lloje drogave të ndryshme. Sipas një legjende popullore, Elvisi nuk vdiq në 1977-ën dhe mund të jetë akoma gjallë.

Ndikimi Presli

Elvis Presli u bë përhapësi i interesit për rrok & rollin në Europë. Presli u hapi rrugën aristëve të tjerë amerikanë, të cilët filluan të organizonin turne në Europë dhe disqet e tyre filluan të kishin sukses dhe jashtë kufijve amerikane. Ende sot Elvis Presli mbetet figura më e njohur e muzikës rrok&roll të shekullit të 20-të. Ai vazhdon të jetë akoma standarti me të cilin maten nocionet e famës. Elvisi ia kalon personazheve si Bob Marley, Marilyn Monroe e John Lennon. Vetëm në 2001 Elvis Presli fitoi 37 milionë dollarë./J.H/dritare.net