Na ndiqni edhe në

Bota

Ndahet nga jeta legjenda e rock-ut, Ozzy Osbourne

Ndahet nga jeta legjenda e rock-ut, Ozzy Osbourne

Bota e muzikës është sot në zi. Ozzy Osbourne, figura ikonike e muzikës rock dhe frontmeni legjendar i grupit Black Sabbath, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare.

I lindur më 3 dhjetor 1948 në Aston të Birminghamit, John Michael “Ozzy” Osbourne u bë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës muzikore botërore, duke ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e rock-ut dhe heavy metal-it. Me një karrierë që përfshin mbi pesë dekada, Osbourne ishte pjesë themeluese e Black Sabbath, grupit që themeloi zhanrin heavy metal dhe më pas zhvilloi një karrierë solo të jashtëzakonshme me hite si Crazy Train, Mr. Crowley dhe No More Tears.

I njohur për zërin e tij të veçantë dhe performancat teatrale, Osbourne u bë një figurë kulturore përtej muzikës, duke u kthyer në simbol të rebelimit, errësirës artistike dhe shpesh edhe skandalit. Një nga momentet më të famshme të karrierës së tij mbetet kafshimi i kokës së një lakuriqi gjatë një koncerti në vitin 1982, një akt që e vulosi përjetësisht si “Princi i Errësirës”.

Vitet e fundit, Osbourne vuante nga një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë sëmundjen e Parkinsonit dhe pasoja nga një aksident i rëndë në vitin 2003. Megjithatë, ai qëndroi aktiv dhe i përkushtuar ndaj muzikës deri në fund. Koncerti i tij i fundit me Black Sabbath u mbajt më 5 korrik 2025 në Villa Park të Birminghamit, në një performancë prekëse të titulluar Back to the Beginning.

Ozzy lë pas gruan e tij, Sharon Osbourne, pesë fëmijë dhe një trashëgimi të pavdekshme në historinë e muzikës. Me mbi 100 milionë albume të shitura dhe ndikim të pakrahasueshëm në breza të tërë artistësh, ai do të mbetet gjithmonë një nga figurat më të dashura dhe të respektuara të skenës botërore. Ozzy Osbourne nuk ishte thjesht një muzikant, ai ishte një epokë më vete./K.C/dritare.net