
Mijëra palestinezë filluan ecjen e gjatë dhe të lodhshme nga jugu i Gazës drejt qytetit të Gazës, pasi në enklavë hyri në fuqi një armëpushim. Ata gjetën qytetin e tyre të shkatërruar, por ndjenë lehtësim që po ktheheshin sërish në shtëpi.
Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, pothuajse e gjithë popullsia e Gazës veriore ishte zhvendosur. Lufta e Izraelit në enklavë gjatë këtyre dy viteve e ka kthyer zonën në rrënoja. Pamjet ajrore tregojnë sipërfaqe të mëdha toke të zhveshura, pa asgjë tjetër përveç rrënojave — pa infrastrukturë, pa energji elektrike dhe pa ujë të rrjedhshëm.
Megjithatë, për shumë prej atyre që u nisën të premten, kthimi ishte i padiskutueshëm.
“Lutem që Zoti të na lehtësojë dhimbjen dhe ankthin, dhe që njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre. Edhe nëse shtëpitë janë shkatërruar, ne do të kthehemi, me vullnetin e Zotit,” tha Ahmad Abu Watfa.
Abu Watfa foli për CNN gjatë udhëtimit drejt lagjes Sheikh Radwan në qytetin e Gazës. Ai tha se ndiente një gëzim të jashtëzakonshëm, edhe pse e dinte se ndoshta asgjë nuk e priste në shtëpi.
“Nuk ka ndjenjë më të bukur se kjo ndjenja e kthimit të njerëzve nga jugu në veri,” tha ai.
Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF) konfirmoi se njerëzve u ishte lejuar të lëviznin nga jugu në veri përmes rrugës bregdetare Al-Rashid dhe rrugës Salah al-Din në qendër të Rripit të Gazës. Për shumë banorë të Gazës veriore, kjo ishte hera e dytë që përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi.
Izraeli i detyroi banorët e veriut të largoheshin në fillim të luftës, por lejoi kthimin e përkohshëm gjatë armëpushimit të fundit në janar. Ky kthim, megjithatë, zgjati pak, pasi Izraeli urdhëroi përsëri evakuim të plotë në shtator, përpara pushtimit tokësor të qytetit.
Sipas IDF, rreth 640,000 njerëz u larguan nga qyteti pas këtij urdhri — rreth 90% e popullsisë së tij para luftës. Edhe përpara ofensivës, situata ishte kritike: pa spitale funksionale dhe me pak vende strehimi.
Të premten, ekipet mjekësore të spitalit Al Rantisi u kthyen për ta gjetur ndërtesën tërësisht të shkatërruar. Zëvendësministri i Shëndetësisë në Gaza, Dr. Yousef Abu Al Rish, publikoi një video që tregonte rrënojat dhe pajisjet e djegura.
Sipas Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), uria kishte përfshirë qytetin e Gazës që në gusht dhe më pas ishte përhapur në gjithë Rripin e Gazës.Ndërsa njerëzit ktheheshin në veri, i prisnin pamje rrëqethëse. Ndërtesa shumëkatëshe të rrafshuara, rrugë të mbuluara me pluhur gri dhe asnjë shenjë jete.
Mohammed Abu Salmiya, drejtori i spitalit Al-Shifa, tha për CNN se trupat e të paktën 33 palestinezëve u gjetën në qytet pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga disa zona. Ai shtoi se disa trupa ishin të paidentifikueshëm dhe u dërguan në spital për ekzaminim.
Në lagjen Tal al-Hawa, Majdi Fuad Mohammad Al-Khour qëndronte mbi rrënojat e shtëpisë së tij. Ai tregoi se dy prej fëmijëve një djalë dhe një vajzë ishin vrarë në luftë.
“Dyzet vjet punë për të ndërtuar këtë shtëpi,” tha ai.
“Tani jam 70 vjeç. Kam punuar që në moshën 10-vjeçare, ndërtova këtë shtëpi, krijova familje… dhe tani gjithçka është zhdukur. Jam i sëmurë, gruaja ime nuk sheh dot, dhe nuk kemi ku të shkojmë.”
Paralajmërimet e izraelite
Ushtria izraelite njoftoi se armëpushimi është në fuqi dhe trupat janë tërhequr sipas planit të qeverisë. Sipas marrëveshjes, filloi një periudhë 72-orëshe për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, ndërsa rreth 2,000 të burgosur palestinezë do të lirohen nga Izraeli.
Sair Hikmat Subh nga Beit Lahiya, në veri të qytetit të Gazës, tha se ishte “i lodhur, por me shpresë”. Ai po çmontonte tendën e tij për t’u nisur drejt shtëpisë.
“Jemi të lumtur që rruga u hap. Lavdi Zotit për sigurinë e të gjithëve,” tha ai. “Por kam mësuar të jem i kujdesshëm. Kam çmontuar shumë tenda dhe jam zhvendosur rreth 20 herë.”
Zëdhënësi i IDF paralajmëroi se trupat izraelite do të mbeten të pranishme në disa zona, përfshirë Beit Hanoun, Beit Lahia dhe Shuja'iyya, duke paralajmëruar banorët të shmangin këto zona.
“Afrimi në zonat ku janë të stacionuara forcat është jashtëzakonisht i rrezikshëm,” tha ai./CNN

















