Mbreti Charles flet për shëndetin dhe trajtimin e kancerit!
Dritare.net
Mbreti Charles III i Britanisë ka dhënë një përditësim të rrallë dhe inkurajues mbi gjendjen e tij shëndetësore, duke bërë të ditur se i është përgjigjur shumë mirë trajtimit kundër kancerit dhe se në vitin e ri ky trajtim do të reduktohet.
Në një videomesazh të transmetuar të premten në mbrëmje në kuadër të fushatës “Stand Up To Cancer” të Channel 4, monarku 77-vjeçar e cilësoi këtë zhvillim si “një bekim personal”, ndërsa vlerësoi përparimet e mëdha të mjekësisë në trajtimin e kancerit.
“Sot mund të ndaj lajmin e mirë se, falë diagnostikimit të hershëm, ndërhyrjes efektive dhe respektimit të këshillave të mjekëve, orari im i trajtimit do të reduktohet në vitin e ri,” u shpreh Mbreti Charles.
Mbreti njoftoi publikisht diagnozën e tij me kancer në shkurt të vitit 2024, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në prostatë. Edhe pse trajtimi nuk ka përfunduar plotësisht, një zëdhënës i Pallatit Mbretëror konfirmoi se Mbreti ka reaguar “jashtëzakonisht mirë” dhe se mjekët kanë kaluar në një fazë më paraprake të kujdesit, e cila do të monitorohet vazhdimisht.
Në mesazhin e tij, i xhiruar në rezidencën Clarence House në Londër, Mbreti theksoi rëndësinë jetike të diagnostikimit të hershëm dhe i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në programet e kontrollit shëndetësor, duke theksuar se “diagnoza e hershme shpëton jetë”.
Ai vuri në dukje gjithashtu një program të ri online në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ndihmon qytetarët të kuptojnë nëse janë të përshtatshëm për kontrollin e kancerit të gjirit, zorrëve apo qafës së mitrës.
Mbreti Charles shprehu mirënjohjen e tij për mjekët, infermierët, studiuesit dhe organizatat bamirëse që mbështesin pacientët me kancer, duke thënë se gjatë rrugëtimit të tij është prekur thellë nga solidariteti dhe kujdesi njerëzor.
Që prej diagnozës, Mbreti e ka kthyer ndërgjegjësimin për kancerin në një pjesë të rëndësishme të angazhimeve të tij publike, duke vizituar qendra shëndetësore, pacientë dhe organizata mbështetëse. Ai është prej dekadash mbështetës i Macmillan Cancer Support dhe së fundmi është shpallur edhe patron i Cancer Research UK.
Edhe pse nuk është bërë publik lloji i saktë i kancerit që po trajtohet, Pallati Mbretëror ka bërë të ditur se kjo është një zgjedhje e vetë Mbretit, për të qenë zë për të gjithë të prekurit nga kanceri, pavarësisht formës së sëmundjes.
Pavarësisht trajtimit, Mbreti Charles ka vijuar detyrat shtetërore dhe angazhimet publike, duke theksuar se një jetë aktive dhe një qëndrim pozitiv janë pjesë e rëndësishme e procesit të shërimit./CNN