Na ndiqni edhe në

Bota

Kryengritësit sirianë mbërrijnë në periferi të Damaskut, ofensiva përparon me shpejtësi!

Kryengritësit sirianë mbërrijnë në periferi të

Kryengritësit sirianë kanë mbërritur në periferi të Damaskut në kuadrin e një ofensive që po përparon me shpejtësi, gjatë së cilës ata kanë marrë nën kontroll disa nga qytetet më të mëdha të Sirisë, thanë të shtunën aktivistët e opozitës dhe një komandant rebel.
Rami Abdurrahman, i cili kryeson Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani, një grup që monitoron luftën e opozitës, tha se kryengritësit janë tani aktivë në periferitë e Damaskut, Maadamiyahit, Jaramanës dhe Darayas.
Ai shtoi se luftëtarët e opozitës po marshonin të shtunën edhe nga Siria lindore drejt Harastës, në periferi të Damaskut. Një komandant i kryengritësve, Hassan Abdul-Ghani, postoi në aplikacionin e mesazheve Telegram se forcat opozitare kanë filluar të kryejnë “fazën e fundit” të ofensivës së tyre duke rrethuar Damaskun. Ai shtoi se kryengritësit ishin nisur nga Siria jugore drejt Damaskut.
Ushtria siriane u tërhoq nga pjesa më e madhe e Sirisë jugore të shtunën, duke lënë më shumë zona të vendit, përfshirë dy qendra rajonale nën kontrollin e luftëtarëve të opozitës, tha ushtria dhe Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Largimi i trupave nga provincat Daraa dhe Sweida erdhi pasi ushtria e Sirisë dërgoi një numër të madh përforcimesh për të mbrojtur qytetin qendror kyç të Homsit, i treti më i madh i Sirisë, ndërsa kryengritësit i afroheshin periferisë së tij.
Përparimet e shpejta nga kryengritësit janë një goditje e rëndë dhe e papritur për presidentin e Sirisë Bashar al-Assad, i cili duket se ka mbetur kryesisht pa përkrahje, pasi aleatët e dikurshëm të tij Rusia dhe Irani janë të anagzhuar në konflikte të tjera, respektivisht në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Ofensiva e befasishme filloi më 27 nëntor nën drejtimin e grupit xhihadist Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, gjatë së cilës persona të armatosur pushtuan qytetin verior të Aleppos, më i madhi i Sirisë, dhe qytetin qendror Hama, qyteti i katërt më i madh i vendit.
Grupi e ka origjinën tek Al-Kaida dhe konsiderohet një organizatë terroriste nga SHBA dhe Kombet e Bashkuara. Udhëheqësi i tij Abu Mohammed al-Golani i tha CNN në një intervistë ekskluzive të enjten nga Siria se qëllimi i ofensivës është të përmbysë qeverinë e al-Assadit./VOA