
Ivanka Trump rikthen fustanin ikonik të Audrey Hepburn
Dritare.net
Ivanka Trump bëri një paraqitje mahnitëse në Liberty Ball, pjesë e festës së betimit të babait të saj, Donald Trump, në Uashington. E veshur me një kreacion Givenchy Haute Couture, rikthim i fustanit ikonik të Audrey Hepburn nga filmi "Sabrina", Ivanka tërhoqi vëmendjen me elegancën e saj.
Sipas një zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë, Ivanka ndihej e nderuar që veshi këtë fustan të veçantë, duke shprehur mirënjohjen e saj për familjen Arnault dhe atelienë Givenchy për "precizitetin dhe mjeshtërinë e madhe" që sollën në rikrijimin e kësaj kryevepre artistike. Zëdhënësi gjithashtu vuri në dukje se "Audrey Hepburn ka qenë një frymëzim personal për Ivankën për vite me radhë."
Pamja e saj u kompletua me një shinjon elegant francez, doreza të zeza opere, taka të zeza, një gjerdan diamanti dhe një palë vathë me lule nga Leviev.
Më herët, në ceremoninë e betimit, 43-vjeçarja Ivanka u shfaq me një komplet të gjelbër Dior, një fund dhe xhaketë, të cilin e kishte kombinuar me doreza lëkure të zeza dhe një çantë Lady Dior./K.C/dritare.net

















